Britania i jep lamtumirën monarkes që sundoi për 70 vjet
Britania do t’i japë sot lamtumirën e fundit mbretëreshës Elizabeth e 2-të – monarkes së vendit që sundoi për 70 vjet. Pas homazheve 4 ditore, ku qindra mijëra njerëz mundën të shohin nga afër arkivolin e sundimtares, Westminster Hall mbylli dyert për publikun. Funerali shtetëror është i pari i këtij lloji që nga ai i Winston Churchill në 1965. Qindra personalitete do të marrin pjesë në shërbimin në Abbey. Këtu përfshihen presidentë e kryeministra në mesin e kongregacionit prej 2,000 trupash.
Miliona persona pritet ta shikojnë ngjarjen nëpërmjet televizioneve në mbarë botën. Radha për vajtuesit për të vizituar arkivolin e monarkes së ndjerë, u mbyll në orën 22:45 të së dielës. Të dielën mbrëma gjithashtu u konfirmua se stërnipërit e Mbretëreshës, Princi George dhe Princesha Charlotte, do të marrin pjesë në ngjarjen historike.
Shkollat, dyqanet, bankat dhe bizneset janë mbyllur ndërsa 10 mijë policë janë mobilizuar për të garantuar sigurinë. Kjo pasi ky konsiderohet operacioni më i madh i mbrojtjes në të gjithë globin. Edhe pse i planifikuar prej vitesh, operacioni London Bridge, do të jetë një makth për autoritetet, që duhet të balancojnë nevojën për mbrojtjen e liderëve botërore me dëshirën e publikut për të përcjellë monarken aq të dashur.
Pas shërbesës në Abacinë e Westminter, arkivoli do të zhvendoset në Harkun e Wellingtonit në Hyde Park. Kortezhi mortor do të udhëtojë më pas në kështjellën Windsor për një ceremoni private familjare në kapelën e Saint George.