“Quiet quitting”, tendenca e re në botën e punës

Tendenca po hedh një dritë të re në botën e punës te profesionistët e rinj dhe ka hapur një debat të ri për mënyrën se si ne lidhemi me punët tona.

Çfarë është “quiet quitting”?

“Quiet quitting” (braktisja në heshtje) nuk do të thotë të lësh punën. Do të thotë të bëni atë që ju kërkohet e më pas të jetoni jetën, duke pasur më shumë ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj personale.

“Ju vijoni të kryeni detyrat tuaja, por nuk ndiqni më mendësinë e kulturës së ngutjes, sipas së cilës puna duhet të jetë jeta juaj” – thotë Zaid Khan, inxhinier informatik dhe muzikant 24 vjeç nga Nju Jork, video e të cilit “Quiet quitting” u bë virale në TikTok.

Termi mund të lidhet me punonjësit më të rinj, por duket se është përdorur për herë të parë në mars nga një amerikan i Gen X (Brezit X), siç raporton Los Angeles Times.

A është “quiet quitting” thjesht një tendencë në rrjetet sociale?

Në TikTok numërohen më shumë se 17 milionë Hashtag #QuietQuitting. Artikuj në media në gjithë botën po e përdorin këtë term dhe fenomeni është përhapur edhe në Twitter, LinkedIn dhe rrjete të tjera sociale.

Të rinjtë e Brezit Z janë influencer të mëdhenj në rrjetet sociale dhe rreth 60% deklaron se publikon përmbajtje të cilat shpresojnë të ndryshojnë botën, sipas Edelman Trust Barometer 2022.

Të rinjtë e moshës mes 18 dhe 26 vjeç janë më të shqetësuar për sigurinë, shëndetin, financat, marrëdhëniet sociale dhe mundësitë për të qëndruar në të njëjtin hap me ndryshimet, sipas vëzhgimit të Edelman te 36 mijë persona.

Por studimet mbi fuqinë punëtore që po ndryshon botën e punës mbështesin rritjen e “quiet quitting” dhe tregojnë se bëhet fjalë për diçka më shumë se një hashtag në rrjetet sociale.

Pse po ndodh “quiet quitting”?

Një ekspert i sjelljes organizative shpjegon për revistën GQ se “quiet quitting” është një mënyrë për të përballuar burnout. “Fenomeni profesional” i Burnout është një rrezik i madh në vendin e punës, veçanërisht te të rinjtë profesionistë të Brezit Z, tregon një studim.

Një sondazh i kryer nga Microsoft te 30.000 punonjës zbuloi se 54% e punonjësve të Brezi Z po mendon që të lërë punën.

Në Raportin mbi rreziqet globale 2021 (2021 Global Risks Report), Forumi Ekonomik Botëror e rendit “zhgënjimin e të rinjve” të tetin nga dhjetë rreziqet e menjëhershme.
Rezultatet përfshijnë përkeqësimin e shëndetit mendor që nga fillimi i pandemisë, duke lënë 80% të të rinjve në mbarë botën të prekshëm ndaj depresionit, ankthit dhe zhgënjimit.

A është Covid-19 pas Quiet Quiting?

Covid-19 ndryshoi botën e punës dhe se sa seriozisht e marrim atë. Punonjësit 20-vjeçarë të Gen Z, në veçanti, mund të kenë hyrë në botën e punës gjatë pandemisë, “me gjithë efektet e saj negative”, mbi të gjitha puna në distancë – shkruan Wall Street Journal në një artikull mbi “quiet quitting”.

Ky brez është rritur edhe në kontekstin e një aktivizmi më të fortë të ushqyer nga “pandemia, vrasja George Floyd, pabarazitë racore, kriza klimatike, epidemia e dhunës me armë zjarri në SHBA dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia” – shkruhet në raportin Edelman të këtij viti.

A bëhet fjalë për të pasur më shumë liri në jetë?

Në njëfarë mënyre po: një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po lënë punën 9:00 – 5:00 për të çelur një biznes të vetin apo për të provuar punë jotradicionale, si ato me kohë të pjesshme apo për një kohë të shkurtër.

Disa largohen nga puna për të bërë një pauzë apo për t’u kujdesur për familjarët, ndërkohë që puna në distancë i zbehu mundësitë për të punuar apo për të jetuar jashtë vendit.

Punonjësit e Gen Z, të moshës 18 – 24 vjeç, vlerësojnë më shumë fleksibilitetin dhe punën kuptimplotë, ndërkohë Millennial dhe Gen X, të moshës 25 – 25 vjeç janë ata që më shumë se gjithë të tjerët provojnë vetëpunësimin dhe llojet e reja të punës, zbuloi McKinsey.

A prek “quiet quitting” vetëm të rinjtë?

Të dhënat mbi fuqinë punëtore nga organizata si McKinsey & Company tregojnë se 40% e fuqisë botërore synon të largohet nga puna në tre – gjashtë muajt e ardhshëm.

“Një person kalon mesatarisht 90.000 orë pune gjatë jetës, për këtë arsye nuk është befasuese që kënaqësia ose pakënaqësia në punë të ndikojnë ndjeshëm në jetë” – thotë McKinesy.
Raporti i State of the Global Workplace 2022 të Gallup se vetëm 21% e punonjësve angazhohet në punë.

Në videon në TikTok në lidhje me quiet quitting, Khan thekson se puna nuk është jeta juaj, duke thënë në fund se “vlera juaj si njeri nuk përcaktohet nga puna juaj”.

/ World Economic Forum