Gruaja 50-vjeçe do që të bëhet me fëmijë, gjinekologia: Ok, por a mund të zgjohet çdo dy orë për t’i dhënë fëmijës gji?
Tema e ditës në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, e cila pyet për mendimet pro dhe kundër nëse një grua mbi 47 vjeç dhe një burrë mbi 54 dëshirojnë të kenë fëmijë. Një nga telefonueset në program ishte edhe gjinekologia e njohur Mimoza Keta, e cila shpjegoi fillimisht fenomenin nga ana shkencore.
Mjekësia nuk e aprovon lindjen e fëmijëve në moshë të madhe për shkak të rrezikut për abort, sindromës Down etj. Organet e riprodhimit funksionojnë më mirë në një moshë të shëndetshme.
Nga ana tjetër, mbetet alternativë riprodhimi me anë të metodës “in vitro”, por çfarë ndodh në momentin që fëmija vjen në jetë dhe prindërit kanë hyrë në moshën e tretë?
Mimoza Keta: Një nënë 50-vjeçare kërkon mbienergji. A mundet vallë, pyetja tjetër që duhet të shtroni, një nënë 50-vjeçare të zgjohet çdo dy orë për t’i dhënë fëmijës gji? A do ketë kjo nënë energji kur ai të fillojë të ecë dhe vrapojë? A do të ketë mundësi ky çift për ta çuar fëmijën në shkollë? Shumë shpesh i thonë “gjyshe”, nënë është vërtet por që duket si një gjyshe. Kështu që këto janë probleme të tjera sociale.
Aldo: Ky është hall i madh. Mendo, fëmija në moshën 17-18 vjeç, i bie që nëna të jetë 60 e ca. Do ia ndalojë njeri cigaren fëmijës?
Mimoza Keta: Është shumë e vështirë, patjetër. Në një moshë që ajo mund të ketë nipër dhe mbesa, duhet të rrisë një adoleshent. Është shumë e vështirë.
Aldo: Me pak fjalë, ti sjell në jetë një fëmijë dhe e lë jetim. Mimoza Keta: Shumë e vërtetë. Megjithatë, sjellja në jetë e një fëmije është një mrekulli.
Megi Latifi: Nga eksperienca juaj, çfarë thonë nënat e mëdha në moshë? Kanë frikë se mbeten vetëm? E kanë sjellë në jetë se kanë mbetur pa fëmijë? Çfarë thonë?
Aldo: Ju ka ndodhur juve? Keni dëgjuar raste të tilla? Mimoza Keta: Po, kam pasur raste që kanë mbetur shtatzënë dhe rastësisht, por që kanë mbajtur fëmijën dhe thonë që na ka ndryshuar jetën. Duke pasur 2 ose 3 fëmijë të tjerë të mëdhenj më parë, fëmija vërtet të ndryshon jetën. Mendoni profesionin që ne kemi. Në profesionin tonë, të dëgjosh të qarën e një fëmije në momentin që ai lind, është gjëja më e bukur./tvklan.al