Fituese për herë të dytë: Zendaya bën histori me çmimet Emmy!

Për herë të dytë Zendaya bën histori me çmimet Emmy! Aktorja ka fituar sërish çmimin si “Aktorja më e mirë në rol protagonist në një serial dramatik” për “Euphoria”. 26-vjeçarja është aktorja më e re që fiton këtë çmim 2 herë në historinë e çmimeve Emmy dhe gruaja e parë me ngjyrë që kryeson si “Aktorja më e mirë protagoniste në një serial dramatik.”

E veshur me një fustan Valentino dhe aksesorë Bulgari, Zendaya e nisi fjalimin e saj duke falenderuar platformën e HBO-së, “që krijoi një hapësirë të sigurtë në krijimin e këtij seriali kaq të vështirë” dhe nuk harroi të përmendte të gjithë ata që besuan tek ajo në ditët kur s’i besonte as vetes.

“Dëshira ime më e madhe për Euphoria-n është që ky serial të mund të ndihmojë njerëzit të shërohen dhe dua thjesht të falenderoj këdo që ka ndarë me mua historinë e tij. Dua që të dini (se kushdo që e ka dashur Rue ose është ndjerë si Rue), ju jam shumë mirënjohëse për historitë tuaja dhe i mbaj ato gjithnjë me vete.”

Në 2020-ën, Zendaya fitoi Emmy-n e saj të parë për aktrimin e bërë në rolin e Rue, Euphoria, serial të cilin ajo e quan si “një terren gjigant mësimi” për të.

Anabelmagazine