Vuan nga agorafobia, Zac Efron: Unë thjesht nuk dal, njerëzit me grupe të mëdha më frikësojnë

Aktori Zac Efron në një intervistë ka treguar se vuan nga agorafobia. Ai ka deklaruar se grupet e mëdha me njerëz i shkaktojnë përkeqësim të gjendje së tij.

“Unë thjesht nuk dal. Njerëzit në grupe të mëdha shkaktojnë agorafobinë time,”– tha ai.

Edhe pse Efron nuk ka dhënë hollësi për fobitë e tij gjatë intervistës, siç theksoi revista Men’s Health, ka shumë të famshëm që kanë treguar herë pas here se vuajnë nga agorafobia, përfshirë Kim Basinger dhe Donnie Osmond.

Aktori foli edhe për thashethemet që ekzistonin në vitin 2013 për operacionin estetik në nofullën e tij duke thënë se më pas ka pasur një aksident që i ka thyer nofullën dhe është dashur të bëjë fizioterapi për t’u shëruar.

“Nëse do të dëgjoja opinionet e të tjerëve për mua në masën që ata mund të mendonin se unë e bëj këtë, definitivisht nuk do të mund ta bëja këtë punë”, tha Efron, duke këmbëngulur se ai nuk bëri operacion plastik në nofullën e tij.

ÇFARË ËSHTË AGORAFOBIA?

Agorafobia është ankthi që shkaktohet nga hapësirat në vende të hapura të mbushura me shumë njerëz.

Nga ana klinike, personi që vuan sulmohet nga një ndjesi ankthi, bezdi e fortë, kur ndodhet në situata jo shumë familjare, një gjendje që i jep përshtypjen se nuk e ka të lehtë të dlë dhe askush nuk mund ta ndihmojë. Në pjesën më të madhe të rasteve agorafobia është një problem që shfaqet pas një sulmi paniku, kriza të vogla ankthi dhe stres post-traumatik. Ajo ndryshon nga personi në person, dhe në rastet më të rënda përveç ankthit mund të shfaqë dhe simptoma fizike, apo sulme paniku të rregullta, me djersë të ftohta, rritje të rrahjeve të zemrës (takikardi), marrje mendsh dhe ndjesi mbytjeje.

Ashtu si fobitë e tjera agorafobia mund të ketë pasoja negative në përditshmërinë e personit, përsa i përket kufizimit të jetës shoqërore dhe në punë. Fatmirësisht, ky shqetësim përballohet përmes një psikoterapie, që synon tejkalimin e fobisë.