Rezultonte i zhdukur, gjendet i vdekur biznesmeni shqiptar! U vra nga borxhliu në Greqi
Xhani Topalli, biznesmeni i ndërtimit nga Shqipëria i cili ishte zhdukur prej 10 ditësh në Rodos të Greqisë është vrarë. Autori, një 53-vjeçar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka pranuar krimin e rëndë dhe u ka treguar autoriteteve greke se ku e kishte lënë trupin e 46-vjeçarit. Sipas asaj që shkruajnë mediat, 53-vjeçari e ka mbytur shqiptarin me litar. Në pranga ka përfunduar edhe djali i autorit të krimit pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit.
Topalli, baba i tre fëmijëve të mitur, ishte shpallur i zhdukur që prej 28 Gushtit. Autoritetet u vunë në kërkim të tij dhe u zbulua se ai kishte lënë një takim me 53-vjeçarin. Ky i fundit i kishte borxhe biznesmenit shqiptar. Autoritetet mundën që t’i zbulonin të gjitha falë edhe dëshmisë së autorit.
Mësohet se ndaj shqiptarit kishin borxhe disa biznesmenë të ndryshëm, ndër ta edhe 53-vjeçari, pronar i një hoteli në Kallithea. Të dielën ai kishte lënë takim me hotelierin me të cilin kishin rënë dakord në prezencë të një avokati për pagesën e 30 mijë Euro borxhe nga një projekt tjetër. 53-vjeçari, në dëshminë e parë ka thënë se takimi mes tyre ishte anuluar. Megjithatë, pas hetimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë u zbulua e kundërta.
53-vjeçari supozohej që të dëshmonte të shtunën, por nuk u paraqit me justifikimin se ishte sëmurë një i afërm. Por nga policia u zbulua se nuk ishte shtruar në spital dhe për këtë arsye 53-vjeçari u mor për të sqaruar ngjarjen. /tvklan.al