Dëshmia rrëqethëse e shqiptares që vrau burrin në Itali: “O unë, o ai…”
Nadire Kurti, 68-vjeçarja shqiptare që dyshohet se vrau bashkëshortin e saj Shefkiun në provincën e Rovigos në Itali e ka justifikuar krimin me keqtrajtimet ndaj saj. “Corriere della Sera” zbulon detaje të reja rrëqethëse në lidhje me këtë krim dramatik.
Gruaja në dukje e brishtë pranoi se e kishte vrarë dhe copëtuar burrin e saj, e vetme, me një sëpatë dhe thika të ndryshme të kuzhinës. Gruaja rrëfeu dëshminë e saj në prani të avokatit të saj. Ajo tha para hetuesve se bashkëshorti i saj, Shefkiu e keqtrajtonte.
“E vrava burrin tim sepse më rrihte çdo ditë për disa vite me radhë. Ai më godiste me grushte duke më thënë se duhej të largohesha nga shtëpia sepse donte ta shiste”, – ka thënë ajo.
Nadirja ishte e bindur se ai kishte një grua tjetër.
“E dëgjova duke folur me një shqiptar që donte 90 mijë euro”.
Sipas saj, në ditët para vrasjes, sherret ishin shtuar deri në kërcënime me thikë.
“Ai më tha se do më copëtonte. Pastaj u largua, për të fjetur në klubin e natës që drejtonte dikur”, – shtoi ajo.
Sipas hetuesve që hetojnë vrasjen e Shefki Kurtit, krimi dyshohet se ka ndodhur mes 21 dhe 22 korrikut.
“Atë ditë e vrava (…) i thashë të largohej me gruan tjetër, por ai më dha një shuplakë. Aty mora sëpatën e druve dhe i dhashë një goditje. Më pas i dhashë më shumë, derisa vdiq”.
Gruaja përsëriti se sherret do përfundonin me një vrasje.
“Ose do vdiste ai ose do të vdisja unë”.
Goditjen e parë viktima e ka marrë në shpinë dhe më pas në qafë.
“Me një çarçaf e tërhoqa zvarrë në banjë, ku kishte një dush”.
Duke kuptuar se nuk do të kishte mundur ta nxirrte kufomën jashtë, ajo do ta bënte atë copa – copa duke përdorur një sëpatë dhe “prerëse mishi, që priste më mirë”.
Gruaja përdori edhe dy thika kuzhine, të cilat Nadirja tha se i shoqi sapo i kishte mprehur dhe i përdori për ta kërcënuar.
Ajo që duket si një film i vërtetë horror vazhdon. Gruaja thotë se e ka ndarë trupin në copa dhe e ka futur “brenda qeseve najloni”, më pas “i futi copat në frigoriferin që mbanin në korridorin e shtëpisë dhe pastroi të gjithë shtëpinë”.
Më pas priti mesnatën për të mos u dukur. I nxori copat nga frigoriferi dhe i hodhi në një kanal. ©LAPSI.al