A e ka dhënë apo jo dorëheqjen Gledis Nano? Policia e Shtetit: Nuk kemi reagim zyrtar! Vazhdon në krye të detyrës

Këtë të hënë mediat online raportuan se Gledis Nano, më pak se një vit nga marrja e detyrës si numri një i organizatës së Policisë së Shtetit, u dorëhoq nga ky post. Lajmi mori dhenë dhe gjeti të befasuar shumë vete, duke shkaktuar reagime të shumta nën zë në të gjithë ambientet, e me së shumti natyrisht në ato politike dhe policinë e shtetit.

Radio Televizioni Shqiptar kërkoi konfirmimin ose jo të Policisë së Shtetit të këtij lajmi që po qarkullon në mediat online dhe rrjetet sociale. Por Policia e Shtetit nuk ka dhënë reagim zyrtar nëse ka dhënë apo jo dorëheqjen zoti Nano dhe se ai vazhdon ende në detyrë.

Policia e Shtetit prej kohësh po përballet me një situatë aspak të favorshme me kriminalitetin, pas disa atentatesh të ndodhura në muajt e verës, me individë që kanë humbur jetën prej tyre.

Ekzekutimet me pagesë të tipit mafioz, atentatet me tritol dhe shkëmbimi i zjarrit në zona të banuara kanë qenë disi te shpeshta përgjatë këtyre 8 muajve të 2022. Ne total janë regjistruar 42 atentate dhe sulme me armë me një bilanc prej 24 të vdekurish dhe 23 të plagosurish.

Ndër ngjarjet me të rënda janë vrasja e trefishtë në Fushë Krujë mesditën e 17 korrikut, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklent Vata, ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë paraditen e 18 gushtit ku vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, vrasja e efektivit të policisë Çaush Saliasi nga kolegu i tij brenda në Komisariat dhe ekzekutimi me tritol në Tiranë i 27 vjeçarit, Aleksandër Sadikaj mesditën e 11 qershorit.

Ndërkohë, një nga emrat më të fuqishëm të botës së krimit, ai që konsiderohet si “Mbreti i lojërave të fatit’, Ervis Martinaj është zhdukur, dhe është denoncuar ky fakt edhe nga familjarët e tij, por policia ende nuk ka mundur që të zbardhë vendndodhjen apo të vërtetën rreth këtij pretendimi.

Probleme nuk janë shënuar vetëm me krimin, por edhe brenda radhëve të dikasterit blu, ku në 6 muajt e parë të vitit 2022 ranë në pranga 23 punonjës policie, ndërkohë 188 efektivë janë nën hetim.

Gledis Nano u emërua vjeshtën e vitit të shkuar në krye të Policisë së Shtetit, pas problemeve që pati ish-drejtori Ardi Veliu.

/rtsh.al/