Akuzohet se ndihmoi të fshihej dhe lëvizi me makinë Ervis Martinajn, del para Gjykatës së Kurbinit agjenti i Operacionales

Jeton Lami, agjenti i Operacionales në Drejtorinë e Policisë së Shtetit që u arrestua pasi akuzohet se ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj të fshihej dhe të lëvizte me makinë, del sot në gjykatë për rivlerësim të masës së arrestit.

Korespondenti i Panorama bën me dije se ka nisur seanca në Gjykatën e Kurbinit për masën e sigurisë për agjentin Lami. Ndaj tij prokurori Bardhyl Shehu ka kërkuar masen e sigurise “arrest ne burg”.

Jeton Lami, 28 vjeç, banues në Tiranë, akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa skandali në radhën e strukturës që ka si detyre arrestimin e personave të kërkuar është zbuluar nga hetimi i nisur pak ditë më parë, pas denoncimit të familjareve se kanë humbur kontaktet me 40-vjeçarin në arrati.
Hetimet për rrëmbim personi të drejtuara nga Prokuroria e Kurbinit, kanë zbuluar se polici 28-vjeçar Jeton Lami ka ndihmuar dhe transportuar Ervis Martinajn gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim nga SPAK, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili e lidhte emrin e tij me disa ngjarje kriminale.

Jeton Lami është zbuluar nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të një hoteli në Durrës, ku ka qenë në shoqërinë e Ervis Martinajt dhe mbi bazë të provave të siguruara gjatë hetimit, Prokuroria e Kurbinit i kërkoi Gjykatës caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me akuzën e shpërdorimit të detyrës, për agjentin e Policisë vendim që u mor më datë 23 gusht dhe u ekzekutua menjëherë nga Policia, e cila prangosi shtetasin Jeton Lami.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.