Duke iu kërkuar falje mediave dhe ndjekësve, artisti shqiptar konfirmon ndarjen nga e fejuara pak ditë pasi e mohoi
“Të “ndarë” nga mediat padrejtsisht, të bashkuar prej vitesh përjet’sisht”– shkruante në një postim në rrjetet sociale këngëtari nga Kosova Art Abazi dy javë më parë duke mohuar zërat se ishte ndarë nga e fejuara e tij.
Mirëpo, pak ditë pas këtij statusi ai ka kërkuar sot falje publike ndaj mediave dhe ndjekësve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, artisti shkruan se ai dhe ish-partnerja kanë vendosur të ndajnë rrugët në mënyrë që të gjejnë qetësi në të ardhmen.
“Përmes këtij postimi i kërkoj falje mediave për reagimin e paarsyeshëm që unë kam bërë ndaj tyre dhe gjithë njerëzve që më kanë ndjekur virtualisht gjatë gjithë këtyre ditëve e të cilët ndoshta edhe i kam zhgënjyer për një moment pa dëshirën time. Sidoqoftë, e vërteta qëndron në faktin që unë dhe ish-partnerja ime kemi vendosur t’i ndajmë rrugët për t’i kontribuar qetësisë dhe të ardhmes sonë. Kur ndarjet ndodhin pas shumë vitesh bashkim, jo gjithmonë emocionet kontrollohet lehtë. Andaj, duke ju falenderuar që na keni dhënë rëndësinë tuaj ju përqafoj sinqerisht!”-shkruan Arti.
Disa javë më parë u raportua se këngëtari është ndarë nga partnerja e tij e shumë viteve, Rreze Qerreti. Vet dyshja krijoi vend për dyshime pasi hoqën njëri-tjetrin nga rrjetet sociale e madje fshinë të gjitha fotografitë e përbashkëta nga Instagrami.