Ançeloti lë pas Guardiolën me Superkupat në Europë: Gjithçka më e thjeshtë me Benzema

Nëse Karim Benzema vazhdon të thyejë rekorde në fushën e lojës, trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, nuk mbetet më pas. Tekniku italian vazhdon të vendosë rekord pas rekordi me sukseset e tij. Të mërkurën në mbrëmje ai u ka shtuar një tjetër trofe titujve të shumtë të fituar në karrierën e tij të suksesshme. Ai ka fituar për herë të katërt Superkupën e Europës, duke lënë pas Pep Guardiolën me tre trofe.

Për teknikun e Realit ky ishte i dyti trofe i Superkupës në drejtimin e këtij klubi, pas atij të fituar në vitin 2014 gjatë aventurës së parë në Madrid. Dy trofeve me Realin u shtohen edhe dy të tjerë të fituar në vitet 2003 dhe 2007 me Milanin. Askush nuk ka fituar më shumë se Ançeloti në Ligën e Kampioneve apo në Superkupën e Europës. Ndaj, ai ka të gjithë të drejtën të festojë trofeun e ngritur lart në qiellin e Helsinkit. Ançeloti ka folur pas ndeshjes, duke analizuar suksesin e ekipit të tij dhe objektivat për të ardhmen.

SUPERKUPA – “Mendoj se nuk ishte një ndeshje e lehtë, veçanërisht në fillim. E patëm të vështirë të ngrinim ritmin e lojës, por më pas e kontrolluam mirë. Nuk ishim në maksimumin tonë, por ne kemi ditur të menaxhojmë gjithçka mirë për të fituar”.

SEZONI I RI – “Ne e filluam me këmbën e mbarë sezonin e ri. Është shumë e rëndësishme të kesh një atmosferë të mirë, mund të çojë në rezultate më të mira dhe një lojë më të mirë. Fitorja na ndihmon për të qenë edhe më të motivuar kur të nisim kampionatin në fundjavë”.

BENZEMA – “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm, një lider ekipi. Nëse jemi këtu është falë Benzemasë. Ai e përfundoi mirë sezonin dhe tani duhet të shkojë të fitojë ‘Topin e Artë’. Askush nuk ka dyshime, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë”.

RROTACIONET – “Besoj se në këtë sezon të ri do të kemi më shumë vend për rrotacion. Që nga takimi i së dielës në kampionat do të ketë ndryshime në skuadër”, ka thënë Ançeloti.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL