Sa na kishte marrë malli, Jonida Maliqi u rikthye me “Hije” dhe vera tani u bë magjike!

Vera të lë vend për imagjinatë, për horizonte që të mbushin shpirtin. Hije që krijojnë kujtime. Hije?Ato mbushin hapësirat boshe të dritave që lëshohen kudo. Ashtu është edhe rikthimi i Jonida Maliqit, në mes hijesh, diejsh e e dashurie. Sa mall paskemi pasur për zërin që depërton thellë në vetëdije e nënvetëdije. Ashtu si vetëm Jonida di. Kur notat thyhen në magjinë e melodisë, gjithçka tjetër bëhet e heshtur, e “frikshme” deri në pafundësi. Po rikthimet e Jonidës janë kështu, të brishta deri në madhështi.

Në dashurinë për muzikën nuk ka kompromise, nuk ka as dyer të mbyllura përgjithmonë. Ka drita që ndizen sa herë rrahjet shtohen e vjen një krijesë si “Hije” e Jonida Maliqit. Herë-herë si aperitiv, e herë të tjera si pija që na drithëron deri në skaje, vera tani u vulos në melodinë e saj. Një dashuri e madhe përfundon, heshtet në një cep, e gjëmon në cepin tjetër, në hijet që formësojnë histori. Videoklipi është si një film që të dërgon në dimensione të papërshkrueshme. Bashkëpunimi me “Boss MGMT Albania” është një sukses i vërtetë. Jonida na bëri pa asnjë dyshim dhuratën e verës 2022.