Nga Elvana Gjata e Luana e deri te Noizy, zbulohen VIP-at që do marrin pjesë në BBV Kosova

“Big Brother VIP Kosova’ po bën përgatitjet e fundit për reality-show-n që pritet t’i mbajë të gjithë të mbërthyer pas ekranit televiziv.

“Big Brother VIP” pritet të startojë në sezonin e ardhshëm televiziv në kanalet e “Art Motion” dhe “Klan Kosova”. Puna ka nisur si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë përmbajtjesor dhe premiera e parë e spektaklit do të jetë në vjeshtë.

Po kush do jenë personazhet e zgjedhura në Kosovë për këtë super emision të ndjekur? Lajmi interesant është se do zgjidhen emra nga të gjitha trevat, pra jo vetëm në Kosovë. Një sërë artistësh do të marrin pjesë edhe nga vendi ynë.

Moderatori i njohur kosovar, Alaudin Hamiti, është zgjedhur prezantuesi i këtij edicioni të parë të “Big Brother VIP Kosova”. Në emisionin e tij “Robi plaket kur do vetë”, Robert Berisha inskenoi një bisedë me Alaudin Hamitin dhe gjatë bisedës së shtirur, moderatori lë të kuptohet se ai “pranoi” ftesë nga Alaudini që të jetë pjesë e edicionin të parë të këtij reality shoë në Kosovë.

Po krahas Robertit, kush do të bëhet pjesë e këtij spektakli tashmë të njohur? Duket se kontratat janë mbyllur me një sërë emrash edhe nga Shqipëria. Burime kanë bërë me dije se Noizy është një ndër emrat më të spikatur që ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në reality.

Nga ana tjetër, ky format do të rikthejë në ekran edhe Luana Vjollcën, që do të jetë pjesë e shtëpisë, kundrejt një pagese të majme. Me shumë interes është përcjellë edhe emri i Elvana Gjatës në këtë format, që është ndër personazhet më të dashura nga publiku ynë.

Emrat e tjerë të përfolur janë edhe Alban Ramosaj, Duda Balaj, Vildane Zeneli, Shkurte Gashi, Don Xhon, Adrola Dushi, Capital T dhe shumë emra të njohur nga trojet shqiptare dhe diaspora. Vlen të theksohet se pjesëmarrja e tyre në këtë spektakël do të jetë në periudha të caktuara, disa prej tyre do të qëndrojnë në shtëpinë e famshme për disa javë e disa më shumë.

Çmimi që ato do të paguhen varion nga 5 mijë deri në 10 mijë euro, varësisht nga qëndrimi brenda. Kontratat janë mbyllur tashmë me pjesëmarrësit dhe pagesat e larta dhe pritshmëritë për sukses janë ato çfarë kanë joshur VIP-at për t’i thënë “Po” ftesës.

Ndërkohë, me shumë interes pritet nisja e spektaklit për të parë dinamikat apo flirtet që do të krijohen brenda shtëpisë, që me gjasa do të shndërrohet më e famshmja në pak orë.