Lufta e Ukrainës do të hyjë në një fazë të re të rrezikshme

Nga Thomas L. Friedman/ “New York Times”

Kur përpiqen të shpjegojnë përmirësimet e fundit që janë vënë re në operacionet e ushtrisë ruse në Ukrainë, disa zyrtarë ukrainas kanë thënë: “Të gjithë rusët memecë kanë vdekur!”. Është një batutë e vjetër, që do të thotë se rusët kanë gjetur më në fund një mënyrë më efektive për ta zhvilluar këtë luftë, ku performanca e tyre e hershme plot paaftësi solli vrasjen e mijërave prej tyre.

Për shkak se lufta e Ukrainës duket se është shndërruar në një luftë shkatërrimtare – me Rusinë që qëndron kryesisht në vijën e frontit dhe që godet me bomba dhe raketa qytetet ukrainase në lindje, duke i shndërruar ato në rrënoja dhe më pas duke përparuar – mund të mendoni se më e keqja e këtij konflikti ka kaluar tashmë.

Mund ta keni gabim. Unë vetë besoj se lufta në Ukrainë do të hyjë në një fazë të re, bazuar në këtë fakt: shumë ushtarë dhe gjeneralë rusë mund të jenë të vdekur, por edhe aleatët e palëkundur të Ukrainës në NATO janë të lodhur.

Kjo luftë ka sjellë tashmë një rritje të madhe të çmimeve të gazit natyror, benzinës dhe ushqimeve në Evropë. Dhe nëse vazhdon deri në dimër, shumë familjeve në Bashkimin Evropian mund t’iu duhet të zgjedhin midis ngrohjes dhe ushqimit.

Për pasojë, mendoj se faza e re e luftës, është ajo që unë e quaj “Strategjia e Dimrit” e Vladimir Putin kundrejt “Strategjisë Verore” të NATO-s. Është e qartë se Putin është gati të vazhdojë të përparojë në Ukrainë, me shpresën se inflacioni në rritje i çmimeve të energjisë dhe ushqimeve në Evropë do ta përçajë në fund aleancën e NATO-s.

Basti i tij duket se është: Nëse temperaturat mesatare në Evropë janë më të ftohta sesa normalja, dhe nëse furnizimet mesatare globale të naftës dhe gazit janë më të pakta se normalja, dhe nëse çmimet mesatare janë më të larta se normalja, dhe nëse ndërprerjet e energjisë elektrike si pasojë e mungesës bëhen të shpeshta, ka një shans të mirë që anëtarët evropianë të NATO-s të fillojnë t’i bëjnë presion presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky që të arrijë një marrëveshje me Rusinë.

Çdo lloj marrëveshje, për të ndalur luftimet. Pra, me siguri që Putin duhet t’u thotë trupave dhe gjeneralëve të tij të rraskapitur: “Mjafton të rezistoni deri për Krishtlindje. Dimri është aleati ynë!”. Dhe kjo nuk është një strategji e çmendur.

Siç raportoi javën e kaluar Jim Tankersley i “The Times”: “Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë frikë se një raund i ri i sanksioneve evropiane, që synojnë frenimin e eksporteve të naftës ruse deri në fund të këtij vitit, mund të çojë sërish në një rritje të çmimeve të energjisë, duke goditur më tej konsumatorët, dhe duke zhytur në një krizë të rëndë ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve.

Ky zinxhir ngjarjesh mund ta përkeqësojë atë që tashmë është një krizë e rëndë ushqimore, e cila po rrënon vendet në mbarë botën. “Përpjekjet e NATO-s dhe BE-së për të frenuar eksportet ruse të naftës në Evropë, mund t’i rritin çmimet e naftës në 200 dollarë për fuçi ose më shumë, gjë që do të thotë që amerikanët të paguajnë 7 dollarë për çdo galon (3.4 litra benzinë”.

Benzina me një kosto 9-10 dollarë për galon, nuk është tashmë e pazakontë në Evropë, ku çmimet e gazit janë rritur me rreth 700 për qind, që nga fillimi i vitit të kaluar, duke e shtyrë kontinentin në prag të recesionit. Ndërkohë, zyrtarët e NATO-s, SHBA-së dhe Ukrainës po thonë me vete: “Po, dimri është armiku ynë. Por vera dhe vjeshta mund të jenë miku ynë – Nëse ne mund të arrijmë t’i shkaktojmë tani një dëm real ushtrisë së lodhur të Putinit, ai do të pranojë një armëpushim.”

As kjo nuk është një strategji e çmendur. Putini mund të jetë duke arritur disa suksese ushtarake në Ukrainën Lindore, por me një kosto shumë të lartë. Shumë analiza ushtarake sugjerojnë se Rusia ka humbur të paktën 15.000 ushtarë në më pak se 5 muaj, një shifër befasuese, dhe ndoshta 30 mijë të plagosur.

Më shumë se 1000 tanke dhe artileri ruse janë shndërruar në skrap. Zyrtarët amerikanë më thonë se Putin nuk ka mjaftueshëm trupa për momentin që të zhvendoset nga lindja e Ukrainës për të pushtuar portin e Odesës, në mënyrë që ta lërë Ukrainën pa dalje në det dhe ta asfiksojë ekonominë e saj.

Siç raportoi Neil MacFarquhar i “The Times” fundjavës që kaloi, Putinit i duhen dëshpërimisht më shumë forca, qoftë edhe për të ruajtur pozitën aktuale të favorshme në lindje, dhe po ndërmerr tashmë një “mobilizim të fshehtë”, për të çuar në front më shumë burra “pa iu drejtuar një projekti kombëtar politikisht të rrezikshëm”.

Për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore, Kremlini po mbështetet në një kombinim të pakicave etnike të varfra, ukrainasve nga territoret separatiste, mercenarëve dhe njësive të militarizuara të Gardës Kombëtare, dhe duke u premtuar rroga të larta vullnetarëve.

Putini ngurron të rekrutojë më shumë burra, pasi kjo do të sugjeronte se ajo që ai u kishte thënë njerëzve të tij se është thjesht një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, jo vetëm që është shumë më i madh, por po shkon shumë më keq nga sa pritej.

NATO shpreson që ushtria ukrainase të mundet t’i përdorë sistemet e reja raketore dhe të artilerisë me lëvizshmëri të lartë M142, ose HIMARS, të cilat SHBA-ja ia ka dërguar javët e fundit për t’i shkaktuar më shumë humbje në trupa dhe shkatërrime armatimesh ushtrisë ruse gjatë verës dhe vjeshtës.

Nëse do të ndodhë kjo, përparimet e Putinit jo vetëm që mund të ngecin, por rusët mund të humbasin terren, dhe presidenti rus mund të ndihet i detyruar të bjerë dakord për një armëpushim, për një shkëmbim të madh të burgosurish, për evakuime humanitare dhe për kushte më të mira për eksportet ukrainase.

Që të gjitha këto do të ndihmonin në uljen e inflacionit dhe do të reduktuar presionin e aleatëve evropianë ndaj Ukrainës për të arritur sa më parë çdo lloj marrëveshje me Putinin.

Nuk ka asnjë shenjë se Putini është gati të bëjë një marrëveshje paqeje përfundimtare, por mund të jetë e mundur që ai të nxitet për një lloj armëpushimi, që mund të sigurojë një farë lehtësimi për tregjet e energjisë dhe ushqimit.

Pra, për të gjitha këto arsye unë gjykoj se lufta në Ukrainë është gati të hyjë në fazën e saj më të rrezikshme që kur rusët nisën pushtimin në fundin e shkurtit: “Strategjia Dimërore” e Putinit i kundërvihet “Strategjisë Verore” të NATO-s.

Ndaj nuk është çudi që zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, u ka bërë thirrje banorëve të territoreve të kontrolluara nga Rusia në jug që të evakuohen shpejt, në mënyrë që rusët të mos munden t’i përdorin ata si mburoja njerëzore gjatë një kundërofensive të ushtrisë ukrainase që parashikohet të nisë shumë shpejt.

“Duhet të gjeni një mënyrë për t’u larguar, pasi forcat tona të armatosura po vijnë për t’iu çliruar. Do të jetë një betejë e madhe” theksoi ajo. Për fat të keq, nuk mund të thuhet se çfarë mund të bëjë Putini nëse forcat e tij ngecin sërish apo humbasin terren. Kjo mund ta bëjë atë më të prirur për një armëpushim. Por edhe mund ta detyrojë të shpallë një mobilizim kombëtar për të çuar më shumë trupa në front.

Unë jam i sigurt vetëm për një gjë: Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë, për sa kohë që Putini do të vazhdojë të jetë në pushtet në Moskë. Kjo nuk është një thirrje për ta rrëzuar, pasi këtë e vendosin rusët. Por është thjesht konstatimi se kjo ka qenë gjithnjë lufta e Putinit.

Personalisht ai e konceptoi, e planifikoi, e drejtoi dhe e justifikoi. Ai e ka të pamundur ta imagjinojë Rusinë si një fuqi të madhe pa Ukrainën. Prandaj, ndërsa mund të jetë e mundur që Putin të detyrohet të firmosë një marrëveshje armëpushimi, unë dyshoj se ai do të jetë i përkohshëm. Më pak fjalë: Lufta në Ukrainë është ende shumë larg fundit të saj.