Si e përshkruajnë Ferrin fetë e ndryshme
Shumë besime fetare kanë një pikëpamje mbi jetën e përtejme, e cila përfshin një anë të errët. Por ka shumë keqkuptime mbi atë që thonë fetë e ndryshme mbi Ferrin. Është e rrallë të gjesh një konsensus midis ndjekësve të një feje me ata që e kanë braktisur fare besimin në të.
A është Ferri një ide e frikshme, e krijuar enkas për të kontrolluar njerëzit përmes frikës, apo ai siguron atë ndjenjën e drejtësisë që mungon shpesh në botën tonë fizike? Nëse po, a është ai një dënim i përjetshëm, apo një vend nga ku mund të shpëtohet përmes veprave të mira? A shërben frika nga ndëshkimi hyjnor për t’i nxitur njerëzit të veprojnë në një mënyrë më etike? Ja cilat janë disa nga mënyrat sesi e përshkruajnë Ferrin fetë kryesore të botës:
Ideja e një mbretërie të ndëshkimit të përjetshëm, vjen nga mitologjia egjiptiane që nga mijëvjeçari IV Para Krishtit. Ferri ose “Duat”, shihej si një vend që mbështjell tokën, i mbikëqyrur nga një hyjni me kokë çakalli, Anubis. Rruga drejt ditës së gjykimit ishte e gjatë dhe e mundimshme.
Të vdekurit duhej të kalonin nëpër 12 rajone të Ferrit, dhe një mori gjarpërinjsh dhe demonësh që merrnin frymë nga zjarri përpara se të arrinin në vendin gjykimit, pra nëse mbijetonin apo jo. Ata që nuk ia dilnin mund të shkatërroheshin pa shpresë për t’u falur. Gjatë procesit të gjykimit, shpirtrat e tyre viheshin në një peshore kundrejt peshës së një pende.
Rezultati përcaktonte nëse jeta e tyre ka qenë e drejtë apo e gabuar. Zemra e njerëzve të këqij copëtohej nga demonët, ndërsa të mirët dërgoheshin në “Shtëpinë e lumturisë”. Mitologjia greke e përshkruante jetën e përtejme si botën e nëndheshme, Hades, një labirint i errësirës dhe dëshpërimit i ruajtur nga qeni i frikshëm Cerberus. Mitologjia romake flet për shpirtrat e të vdekurve që kalonin nëpër lumin Stiks. Njerëzit e këqij shkonin në fushat e torturës, Tartarus, ndërsa të mirët në Fushat Eliziane.
Krishtërimi
Shumica e përfytyrimeve tradicionale të krishtera rreth Ferrit, nuk vijnë nga Bibla por nga letërsia mesjetare. Si për shembull nga kryevepra e Dantes, nga libri “Parajsa e humbur” e Xhon Miltoni dhe nga artistë të mëvonshëm si Hieronim Boch dhe Mikelanxhelo. Dhjata e Re përmban pak referenca për Ferrin.
Të krishterët konservatorë si teologu Daniel Streinxh, thonë se përmendja nga Jezusi e Gehenas, një vend real në periferi të Jeruzalemit ku ndodhnin sakrificat e fëmijëve dhe ku zjarret ishin gjithnjë të ndezura, i referohet një vendi në jetën e përtejme ku përfundonin njerëzit e ligj, përfshirë ata që e kanë refuzuar Krishtin.
Të krishterët janë në përgjithësi të ndarë nëse Ferri është apo jo një vend i vërtetë, apo nëse fokusi kryesor i Jezusit ishte te rëndësia e jetës së njerëzve në Tokë. Të krishterët liberalë priren ta përshkruajnë Ferrin si një gjendje shpirtërore që përfaqëson distancimin nga Zoti, me njerëz që zgjedhin të largohen nga parajsa. Por mundësia e ribashkimit me Perëndinë është gjithmonë aty, dhe Ferri perceptohet si një vend ri–edukimi dhe jo një vend i ndëshkimeve të pafundme.
Katolikët, e përshkruajnë Purgatorin si një vend ku ata që nuk konsiderohen mjaftueshëm mëkatarë për të përfunduar në Ferr, ndërmarrin rrugën e pendesës, derisa të shlyhen mëkatet e tyre, dhe të hyjnë përfundimisht në Parajsë. Shumë të krishterë përparimtarë, si Unitarianët dhe Universalistë, thonë se Ferri nuk ekziston dhe se të gjithë do të hyjnë përfundimisht në Parajsë.
Ferri sipas Judaizmit (Tevratit dhe Talmudit)
Brenda teologjisë hebraike ka një debat mbi konceptin e Ferrit dhe jetës së përtejme. Shumë hebrenj nuk kanë një besim të fortë për atë që ndodh pas vdekjes, ndërsa disa këmbëngulin se Ferri nuk ekziston. Por tekste të ndryshme të shenjta në Judaizëm i referohen ferrit si një mbretëri e pendimit dhe ndëshkimit.
Pasazhet nga Samueli dhe Ezekieli i referohen një dite kur Zoti do të “nxjerrë” trupat nga varret dhe kur në “kockat e thata” të të vdekurve do të rritet sërish mish dhe lëkurë me urdhër të tij. Cilido që vdes për lavdinë e emrit të Perëndisë duhet të marrë shpërblimin e tij, dhe kjo do të thotë se të gjitha qenieve të drejta do t’u jepet jetë e re në fund të kohës, kur Ai të ringjallë njerëzit nga vdekja.
Talmudi, libri i ligjit judaik, i referohet një jete të përtejme që i sheh të gjithë, përveç më të ligjve, të dërgohen në një vend plot zjarre, ku njerëzit digjen dhe pastrohen përkohësisht përpara se të çohen në Parajsë nga Abrahami. Diku tjetër, teksti Talmudi përshkruan se si në vend që të shkojnë në Parajsë, njerëzit nuk ekzistojnë më pasi shlyejnë mëkatet e tyre.
Përshkrimet e Ferrit në Talmud përshkruajnë një vend të quajtur Gehinnom, ku shpirti kalon 12 muaj duke u pastruar përpara se të lëshohet në Olam Ha-Ba, në botën që do të vijë. Të ligjtë e pandreqshëm ose dënohen me ndëshkime ose asgjësohen fare. Për më tepër, Talmudi flet për një të ardhme ku të vdekurit rikthehen në jetë, dhe e përshkruan sjelljen e tyre në Gan Eden, një vend barazie dhe drejtësie ku ata gëzojnë një pozitë të lartësuar në praninë e hyjnores.
Islami
Shkollat kryesore të dijes islame rreth jetës së përtejme, promovojnë idenë se qeniet njerëzore do të përballen një ditë me gjykimin, kur Allahu t’i sjellë të gjithë para tij. Në atë moment do të ringjallen të vdekurit, mëkatarët do të përballen me hedhjen në zjarr kur të kalojnë urën hyjnore, dhe të drejtët do të dërgohen në Parajsë. Gjykimi i tij është menduar të jetë përfundimtar, por ai mund të tregojë mëshirë nëse ndërhyn Muhamedi. Sipas Islamit, Ferri ka 7 porta, secila e rezervuar për një grup të caktuar mëkatarësh, bazuar në veprat e tyre të këqija në jetë.
Hinduizmi
Hinduizmi mëson se në vend që të jetë një vend i mundimit të përhershëm, Ferri është një mbretëri e përbërë nga 28 shtresa, ku individët shlyejnë krimet e kryera në një jetë të mëparshme. Ky proces njihet si “Naraka” ose “Yamaloka” dhe mbikëqyret nga Yama, Zoti i Vdekjes. Mëkatarët mund të torturohen, ndërsa pas pastrimit nga mëkatet, shkojnë përfundimisht në Parajsë ose “Moksha”.
Budizmi
Sipas Budizmit ekzistojnë 6 sfera të ekzistencës, njëra prej të cilave është një mbretëri që vepron si një Ferr. Brenda saj ka 8 Ferre. Aty shpirtrat priten, digjen dhe gllabërohen, përpara se të kthehen në jetë për të kaluar të njëjtat mundime, sërish nga e para, nëpërmjet ri-mishërimit.
Marrë me shkurtime nga Grunge – Bota.al