UNUM Festival, festivali më i madh në Shqipëri i muzikës elektronike – kush qëndron pas këtij organizimi madhështor
UNUM Festival u zhvillua për të tretin vit në plazhin e Ranës së Hedhun, në datat 1-6 qershor. Pak njerëz mund të mos kenë dëgjuar për këtë ngjarje e cila solli dhjetëra DJ dhe mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Por, për të realizuar një event spektakolar dhe të suksesshëm, nevojiten njerëz me shumë vizion dhe ambicie. Këto fjalë përshkruajnë më së miri Kushtrim Sahitin, ideatorin dhe organizatorin e UNUM Festival.
Ai, së bashku me ekipin e tij të përkushtuar dhe të kualifikuar vijnë nga Prishtina për të sjellë në vendin tonë festivalin më të madh dhe të paharrueshëm të muzikës elektronike. Ne kemi arritur të rrëmbejmë pak nga koha e tij për të kryer një intervistë mbi organizmin dhe arritjet e UNUM Festival, të cilën ju ftojmë ta lexoni.
Cili është qëllimi i UNUM Festival?
Qëllimi kryesor i Unum Festival është të bashkojë njerëzit përmes muzikës. Përderisa njerëzit pëlqejnë festivalet si mënyrë shkëputjeje nga jeta e tyre e përditshme, Unum Festival kujdeset që të kurojë formacion të muzikës të tillë që t’i mbajë ata të kënaqur dhe t’u ofrojë një udhëtim muzikor për net me radhë por, mbi te gjitha, Unum ka për qëllim që audienca, sidomos ajo shqiptare, të krijojë miqësi me adhurues të muzikës nga e gjithë bota.
Synimi është i qartë: Të bëhemi njësh me botën.
Sa pjesëmarrës ka pasur festivali përgjatë gjithë ditëve?
Edicioni i 3-të i Unum Festival ka pasur gjithsej 18.000 pjesëmarrës, ku mes tyre kanë qenë 40% ndërkombëtarë dhe 60% lokalë.
Cila ka qenë sfida më e vështirë në organizimin e festivalit?
Ajo që ka qenë më e vështira në organizim ishte skedulimi i performancave. Pavarësisht se muzika nuk ndalet për 24 orë, jemi detyruar ta shtojmë një ditë sepse kishim shumë kërkesa për pjesëmarrje. Me dëshirën për të ofruar maksimumin përgjatë këtij festivali, vendosëm ta shtojmë edhe një ditë më shumë, duke e bërë festival 6-ditor. Kjo rezultoi e suksesshme pasi ka pasur shumë njerëz deri në ditën e fundit.
Sa DJ ka pasur në total festivali dhe cilët kishin audiencën më të madhe në festival?
Në këtë edicion kemi pasur 93 DJ, ku audienca më e madhe ka qenë te kryesorët si: Paco Osuna, Seth Troxler, Leon, William Djoko. Gjithashtu, natën e shtunë te “Skena e Pishave”, me DJ Raresh.
Përveç muzikës, çfarë eksperiencash të tjera ofron festivali?
Unum Festival është festival për të gjitha shijet. Përveç muzikës, në festival, audienca mund të gjejë veten në këndin e aktiviteteve i cili ofron yoga, body paint, face paint, shopping, tattoo, bizhuteri, etj.
Sa muaj përgatitje kërkon një organizim si Unum dhe sa veta përbëjnë stafin organizues?
Për organizimin e festivalit duhen afro 10 muaj përkushtim intensiv, me staf shumë profesional. Përndryshe, është e pamundur të shkojmë te rezultati që arriti Unum Festival.
Si ka lindur si ide organizimi i një festivali të tillë?
Pas 12 vitesh punë intensive me jetën e natës, në klubin që ne kemi, në të cilin kanë performuar emrat më të mëdhenj botërorë si: Solomun, Seth Troxler, Ricardo Villaobos, Loco Dice e shumë artistë të tjerë, lindi ideja për të bërë një festival ku mund të përfshinim të gjithë artistët që kanë performuar në “Zone Club”, por në një mjedis të jashtëm dhe në një ambient të bukur natyror. Rezultati është ai që shihni sot – ky festival është një vend ku të gjithë mund të bashkohen dhe të përjetojnë një përvojë për të cilën jemi krenarë.
Çfarë të rejash do të sjellë edicioni i vitit të ardhshëm?
Unum Festival do të thyejë rekorde të reja në vitin 2023. Këtë e dëshmon në radhë të parë kërkesa masive për bileta nga të gjitha vendet, ku si rrjedhojë na u desh ta mbyllim shitjen e biletave që natën e tretë, për shkak se vendi s’kishte kapacitet për më shumë pjesëmarrës.
Kemi filluar formacionin më të fuqishëm që ka pasur ndonjëherë Unum-i, me emra të rinj dhe të famshëm botërisht. Por emrat dhe shumë detaje të tjera do i bëjmë publike në muajt në vazhdim. Ju ftojmë të na ndiqni në faqet tona sociale @Unum Festival Albania.
Cilët kanë qenë mbështetësit tuaj kryesorë për realizimin e festivalit?
Si çdo organizim i pëmasave të tilla, është e pamundur të bëhet një festival pa mbështetjen e partnerëve dashamirës. Ne jemi shumë mirënjohës që kemi pasur mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bashkisë Lezhë, si edhe partnerët kryesorë One Telecommunications dhe Music Freedom. Në fakt, ishte hera e dytë që One Telecommunications mbështeti festivalin tonë, sepse na bashkon qëllimi që kemi për ta promovuar Shqipërinë në dimensionin e vet turistik.