Viktima e atentatit në Tiranë pronar resorti, kush ishte “Aleksi i Memaliajt”
Aleksandër Sadikaj, 27-vjeçari i cili u ekzekutua në një atentat me eksploziv teksa po lëvizte me automjetin e tij në zonën e rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, rezulton të jetë pronari i një ferme kampingu në zonën e Memaliajt.
Biznesi i 27-vjeçarit të ndjerë është i emërtuar “Sancho Farm Albania” dhe rezulton sipas të dhënave nga QKB të jetë hapur në janar të këtij viti.
Në resortin e 27-vjeçarit ofroheshin dhe veprimtari argëtuese si kalërime me kuaj, xhiro me motora buggy, dhe lojëra paintball.
27-vjeçari publikonte shpesh video dhe foto nga përditshmëria e tij në faqen e biznesit të këtij resorti. Nga postimet, duket se i riu është i apasionuar pas kuajve, një shërbim që ofrohet dhe nga resorti.
Në faqen e Instagramit gjithashtu shihet se 27-vjeçari ka pasur në rrethin e tij shoqëror dy reperët e njohur nga Tirana, Finem dhe Solo.
Këta të fundit kanë xhiruar njërin prej videoklipeve të këngëve të tyre në ambientet e “Sancho Farm Albania” dhe për më tepër kanë postuar disa foto, ku në duar mbajnë edhe armë të ndryshme.
I njohur ndryshe si ‘Aleksi i Memaliajt’, 27-vjeçari është person me precedent të theksuar kriminal, në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Ai rezulton të jetë i përfshirë në një plagosje me thikë në vitin 2019 në Sarandë, çështje për të cilën nuk është dënuar.