I dënuar për vrasjen e 8-vjeçares, autori ekzekutohet me injeksion 38 vjet më vonë
Një i dënuar në Arizona për vrasjen e një vajze 8-vjeçare, gati 38 vjet më parë, është ekzekutuar në SHBA me injeksion vdekjeprurës. Ekzekutimi i Frank Atwood u krye në burgun shtetëror të Arizonës paraditen e së mërkurës, konfirmoi zyra e prokurorit të përgjithshëm. Sipas asaj që shkruan CNN, Atwood u dënua me vdekje rreth 38 vjet më parë dhe i kishte ezaurur të gjithë shkallët e apelimit.
“Qytetarët e Arizonës nuk do të harrojnë kurrë që një fëmije të pafajshëm iu mor jeta brutalisht dhe familjes iu desh të përballonte për dekada me radhë vuajtje”, tha prokurori Mark Brnovich.
Artwood u dënua më 17 Shtator të vitit 1984, për vrasjen e Vicki Lynne Hoskinson. Vicki po kthehej me biçikletë në shtëpi kur Artwood e rrëmbeu dhe e vrau, ndërsa trupin e la në shkretëtirë. Trupi i saj u gjet rreth 7 muaj më pas.
Prokurori i përgjithshëm tha po ashtu se përpara vrasjes së 8-vjeçares, Artwood kishte qenë i dënuar për disa vepra të rënda përfshirë rrëmbimin e dy fëmijëve në California. Para ekzekutimit, ai kërkoi nga Gjykata e Lartë për të pezulluar ekzekutimin me vdekje, kërkesë që iu refuzua.
Artwood është personi i dytë që ekzekutohet në Arizona që prej dështimit të ekzekutimit me injeksion të Joseph Wood në 2014, që pezulloi ekzekutimet në këtë shtet për më shumë se 7 vjet. Wood, i cili gjithashtu u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës, u përpëlit për të marrë frymë për më shumë se dy orë, derisa vdiq.
CNN raporton se në shtetin e Arizonas janë rreth 111 të dënuar me vdekje që presin ditën e ekzekutimit./tvklan.al