Vrau dy persona me pistoletën e babait? Flet avokati i italianit të arrestuar për vrasjen e Nevila Pjetrit

Daniele Bedini, 32-vjeçari italian i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e shqiptares Nevila Pjetri, para hetuesve mësohet se ka mohuar akuzat. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 32-vjeçari i cili mësohet se punonte në zdrukthëtarinë e familjes së tij, ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet.

Avokati i tij, Rinaldo Reboa, i cituar nga mediat italiane tha: “I vetmi element që i çoi hetuesit që të ndalonin klientin tim është denoncimi i vjedhjes së pistoletës në pronësi të babait të Daniele Bedinit, e formalizuar disa ditë përpara vrasjeve”.

“Babai i klientit tim kishte denoncuar vjedhjen e armës të cilën e kishte me leje, që nuk është gjetur ende dhe që për momentin ka përputhje vetëm me gëzhojat e gjetura pranë kufomave. Fakti që klienti im është edhe me precedentë penalë ka bërë që hetimet të kufizohen vetëm rreth tij”, shtoi avokati.

Autoritetet italiane njoftuan mëngjesin e kësaj të marte arrestimin e 32-vjeçarit italian si të dyshuarin kryesor për vrasjen e prostitutës shqiptare Nevila Pjetri. Ai është me precedentë penalë për grabitje. Trupi i pajetë i 35-vjeçares e cila u dhunua fizikisht e më pas u ekzekutua me dy plumba pistolete në kokë, u gjet e hedhur në shtrat të lumit Parmignola në Marinella di Sarzana, orët e para të së dielës.

Ndërsa një natë më parë, 3 kilometra larg vendit të ngjarjes autoritetet zbuluan një tjetër trup. Bëhej fjalë Carlo Bertolotti, 43-vjeç, një transeksual që ushtronte prostitucion në periferi të Sarzana.

Dyshimet e hetuesve janë se Daniele Bedini qëndron edhe pas kësaj vrasjeje të dytë, që dyshohet se e kreu për të fshehur të parën. Mediat fqinje shkruajnë se Carlo Bertolotti mund të ketë qenë dëshmitar i momentit kur Nevila Pjetri hipi në makinën e autorit për t’u gjetur më pas e vdekur.

32-vjeçari Daniele Bedini prej mesditës u mor në pyetje nga hetuesit, megjithatë dëshmia e tij nuk është zbardhur ende./tvklan.al