Ndërron jetë në gjumë Ray Liotta, ikona e filmave me gangsterë
Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare një nga ikonat e kinematografisë amerikane, Ray Liotta. Ylli i “Goodfellas” ndërroi jetë në gjumë në Republikën Domenikane. Ai ndodhej në këtë vend për filmin e fundit “Dangerous Waters” sipas publicistes së tij Jennifer Allen.
Liotta ishte më i njohur për rolin e mafiozit Henry Hill në filmin me gangsterë “Goodfellas” të regjisorit Martin Scorsese të vitit 1990. Liotta u njoh gjerësisht edhe për rolin e ish-të dënuarit Ray Sinclair në komedinë e zezë të vitit 1986, “Diçka e egër”.
Ai u nominua për Golden Globe për atë rol. Në vitet ’90 ai luajti në filmat “Hyrja e paligjshme”, “Cop Land” dhe “Corrina, Corrina” me Whoopi Goldberg. Një vit më parë u përfshi te “Sopranos” pasi kishte refuzuar një rol në seritë origjinale.
Aktori i lindur në New Jersey tha në vitin 2016 se i vinte keq që refuzoi mundësinë për të marrë pjesë në audicionin e filmit “Batman” të Tim Burton.
“Kur bëra filmin tim të parë, Tim Burton po bëhej gati të bënte Batman dhe ai ishte i interesuar për mua sepse donte që ai të ishte i egër dhe i vërtetë.
“Mendova, ‘Batman? Kjo është një ide budallaqe’, edhe pse ai sapo kishte bërë një nga filmat e mi të preferuar të të gjitha kohërave, Beetlejuice. Pra, po, më vjen keq që nuk bëra një audicion për këtë”.
Liotta lë të fejuarën e tij Jacy Nitolo dhe vajzën Karsen, të cilën e ka me ish-gruan e tij Michelle Grace.
©LAPSI.al