“Po kthehem në shtëpi”, Kumbulla thirrje shqiptarëve, por Mourinho e projekton në stol
“Luan apo jo Kumbulla, shqiptarët duhet të jenë në anën tonë, ai është e vetmja gjë që i lidh me finalen”, kështu u shpreh Jose Mourinho pak ditë më parë duke i bërë thirrje tifozëve shqiptarë që të mbështesin Romën. Për yllin kuqezi kjo finale është unike, as në ëndrrat më ekstreme nuk e kishte menduar diçka të tillë, por fati e desh që të shijonte një finale me Romën pikërisht në “Air Albania”, në shtëpinë e tij.
Pas Mourinho-s, edhe Marash Kumbulla ka dërguar së fundmi një mesazh për tifozët shqiptarë: “Po kthehem në shtëpi, na përkrahni në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe Forca ROMA!”, shkroi mbrojtësi kuqezi. Në video, shihet se Kumbulla është fillimisht me fanellën e Kombëtares shqiptare, e më pas me fanellën e Romës.
Këto janë detaje që për Mourinho-n kanë pak rëndësi, sipas mediave italiane, nuk pritet që qendërmbrojtësi kuqezi të jetë titullar në finalen kundër Feyenoord. Në portë, Rui Patricio është i paprekshëm, ashtu si edhe treshja e mbrojtjes, Mancini, Smalling, Ibanez. Në krahë Zalewski dhe Karsdrop ndërsa Cristante dhe Oliviera në mes. Pellegrini dhe Zaniolo do të jenë në mbështetje të Abraham.