“M’u bë ves”, Fiori Dardha martohet për herë të dytë me të njëjtin person

Gazetarja e njohur Fiori Dardha është martuar për herë të dytë me të njëjtin person. Siç thotë vetë ajo, “iu bë ves”, aq sa dëshiron të gjejë gjithnjë shkaqe për një ngjarje të tillë të bukur. Si erdhi kjo dasmë e dytë, emocionet dhe organizimin e saj, i tregon të gjitha për “Jo Vetëm Modë”në Tv Klan.

Fiori Dardha: Ndihem vërtet shumë me fat. Fakti që martohem, bëj dy dasma me të njëjtin person tregon që…

Orinda Huta: E kishe menduar ndonjëherë kështu?

Fiori Dardha: Jo, nuk e kisha menduar. Erdhi krejt rastësisht. Ne bëmë një dasmë para 5 vitesh, që ishte një dasmë e madhe, tradicionale. Unë doja që ditën e celebrimit ta kishim më 9 Mars që përkon me ditën e lindjes së Abelit. Kur shkova në njësinë administrative më thanë që nuk mundet sepse duhet bërë shpallja. Për momentin e lashë, thashë do ta bëj 9 Marsin tjetër dhe kështu kaluan 5 vite, pa u celebruar. Të gjithë na dinin të martuar, por në fakt, zyrtarisht nuk ishim të martuar.

Më erdhi ideja që celebrimin ta bënim për 50-vjetorin e bashkëshortit. Unë tentova t’ia bëja në formë surprize, por ishte e pamundur sepse për t’u martuar dy persona duhet miratimi i të dyve, kështu që mbeti një surprizë në tentativë. Im shoq e vlerësoi shumë faktin që mua më kishte shkuar pas kaq vitesh mendja sërish të martohesha me të njëjtin person.

Ndërsa rrëfen se bashkëshorti i saj u emocionua dhe vetë ajo e shijoi sërish veshjen e bardhë, e shoqëruar në altar edhe nga djali i saj, ndodhi edhe një ‘incident’ gazmor gjatë ceremonisë.

Fiori Dardha: Si mbaroi e gjithë ceremonia, unë u kujtova që bashkëshorti nuk më kishte propozuar kështu që kam një arsye për të organizuar një tjetër festë.

Orinda Huta: Por megjithatë more edhe një unazë.

Fiori Dardha: Po. Në momentin që zonja e bashkisë më pyeti “e ke unazën për bashkëshortin?”, “jo” i thashë, “por unë kam”. Dhe ngaqë nuk dija si të reagoja i thashë Nardit “të lutem hiqe unazën e fejesës” dhe bëmë një manovrim të vogël. Ia hoqa unazën e fejesës dhe ia vendosa, ama unë mora unazë.

Në gishtin e Fiorit ndrin një unazë me rubin, gurin e saj të preferuar dhe diamant, duke krijuar një kurorë të vogël dashurie./tvklan.al