Balerini Altin Koruti rikhehet 7 vite pasi bëri bujë me shfaqjen erotike “Penetrimi i shpirtrave”: Eksperiencat e mia të reja skenike e personale

Ai ka zgjedhur profesionin që e do aq shumë, sa t’i duket sikur nuk punon asnjë ditë. Si balerin i shumë roleve që shpesh fluturon skenë, në jetë di t’i mbajë mirë këmbët në tokë. Duke provuar shijen e suksesit si artist po aq modern sa edhe klasik, Altin Koruti i gëzohet jetës si një puzzle i madh, ku çdo copëz ka rëndësinë e saj. Balerini i njohur, që ia doli që në vitin 1994 të ishte shqiptari i parë që konkurroi dhe u pranua në Teatrin e Operas në Athinë, në këtë intervistë për revistën “Story”, flet për filozofinë e jetës përtej artit. Shtatë vite pasi bëri bujë në skenën shqiptare me shfaqjen e dominuar nga erosi skenik “Penetrimi i shpirtave”, ai përgatitet të rikthehet si pjesë e një projekti me shfaqje mbresëlënëse, tashmë i pasuruar me eksperienca të reja skenike e personal.

Nga Klotilda Harka

Nga viti 2015 kur erdhe në Tiranë për “Penetrimi i shpirtrave”, çfarë ka ndodhur në shpirtin e një balerini me botë të pasur shpirtërore si ti?

“Penetrimi i shpirtrave” duket sa i largët aq edhe i afërt. I largët në shtrirje kohore, por afër nga ndjesia jo vetëm e pjesëve të baletit, por edhe nga vargjet aq të ndjera. Inagurimi i Amfiteatrit dhe vënia në skenë e një grand galaje me 10 çifte primo balerinësh ndërkombëtarë, të cilët patën fatin të performojnë në skenën e hapur të Amfiteatrin të Tiranës. Ashtu sikurse të gjithë performancat tona, edhe kjo shfaqje u prit me ovacione nga publiku i pranishëm, duke i kthyer herë pas here balerinët në skenë me duartrokitje të gjata. Ndërkohë jam rritur jo vetëm me numra por edhe me eksperienca të reja, jo vetëm skenike, por edhe personale.

Cila është shfaqja që po jep tashmë në skenën greke, dhe si mund ta përshkruash nga ana e ndjesive që përjeton kur ngjitesh në atë skenë?

“Covid 19”, edhe pse erdhi vrullshëm në të gjithë botën, nuk e ndaloi dot artin. Edhe pse skenat u mbyllën, ne vazhduam kërcimet edhe pse në kushte të vështira. Jo rrallë kam performuar bashkë me partneren time, edhe në jetë, në taracën e shtëpisë, në ballkon, për t’i kënduar jetës, për të kremtuar jetën mbi vdekjen. Tashmë, në një realitet tjetër, atë të ri, mbyllëm shfaqjen “Arrëthyesi” me koreografi të Z. Kostandinos Rigos, i cili njëkohësisht është edhe Drejtori i Teatrit Kombëtar të Greqisë. Ishte një shfaqje ku ndërthurej modernia me klasiken, por ajo që vlen për t’u theksuar është emocioni që morëm nga duartrokitjet e publikut në sallë. Aty kuptova sesa më shumë më kishin munguar duartrokitjet, dhe sa shumë të rëndësishme janë ato për ne artistët.

Duke u nisur nga vënia skenike e poezive erotike të Rita Petros, si mund t’u jepje shpirt, mish e kocka poezive të poetit grek Janis Ricos apo poezive të shkrimtarit Ismail Kadare?

Çdo poezi ka pak erotizëm brenda. Ne artistët i japim shpirt çdo vargu, pavarësisht kombësisë, gjuhës apo gjinisë të poetit. Ne penetrojmë në vargje, në shkronja e i mishërojmë ato në lëvizje, në solo e në duete.

Dimë që po përgatitesh për një gala këtë verë në Tiranë e disa qytete në Shqipëri.Për çfarë bëhet fjalë dhe do e marrësh dhe këtë herë partnere balerinë me vete, apo do e zgjedhësh këtu?

Kur vjen fjala për Shqipërinë jam gjithmonë gati, gala apo jo. E megjithatë, edhe këtë vit shpresojmë të vimë me një super gala ashtu sikurse e meriton publiku shqiptar i mrekullueshëm. Risia, këtë herë, në kuadër të projekteve; Tirana, Kryeqytet i Rinisë është udhëtimi nëpër disa qytete së bashku me 7 çifte primo balerinësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë nën koreografinë e mikut tim, Arjan Sukniqi. Do të jenë shfaqje mbresëlënëse, ashtu sikurse çdo shfaqje tjetër e jona ku do ketë performancë klasike dhe moderne.

Gjithmonë mund të pyetet se cila është kënaqësia e të qenit balerin? Po vështirësia apo “tortura” që provon në këtë lloj arti?

Që i vogël, gjithmonë thoja që unë nuk do të punoj asnjë ditë, sepse unë do të punoj në një profesion që e dua shumë. Ndaj edhe pse lodhem shumë, nganjëherë edhe dëmtohem, net të tëra pa gjumë, gjithmonë me emocione para, gjatë dhe pas shfaqjeve, në fund të ditës jam gjithmonë i lumtur. Ato pesë minuta duartrokitje t’i heqin me magji të gjitha ato që përmenda më sipër, e andaj, çdo ditë nis nga fillimi, me prova, me shfaqje, duartrokitje.

Për ty kush ka fuqinë më të madhe të bëjë për vete publikun, fjala e një aktori në teatër, zëri në një opera apo lëvizja e një balerini?

Artisti është universal. Nuk ka rëndësi në kërcen, në reciton, në aktron, në këndon apo performon me vegla muzikore. Secili prej tyre flet me gjininë që përfaqëson, ndaj, edhe klithma është unike, e secili prej tyre përqafon atë që përfaqëson.

E ndjek baletin shqiptar, dhe cilët do të veçoje nga balerinët që i ke pasur edhe shokë shkolle apo miq?

Unë nuk jam vetëm fizikisht në Shqipëri, por me mendje, me zemër, jam aty në Teatrin e Operas në Tiranë. Gjithmonë ndjek kalendarin e shfaqjeve dhe sa herë që jam në Shqipëri gjithmonë ndjek jo vetëm shfaqje baleti, por edhe teatri. Më pëlqen shumë brezi i ri i artistëve që guxojnë të performojnë edhe me pjesë të vështira. Unë i përkas asaj plejade balerinësh, që për shumë arsye, u është dashur të linin Shqipërinë e të ndërtonin jetëm diku larg. Unë pata një fillim të vështirë, por ja dola që në vitin 1994 të isha shqiptari i parë që konkurrova dhe u pranova në Teatrin e Operas në Athinë. E që atëherë rrugëtimi im vazhdon, kryesisht në skenën greke, por me raste, edhe në ato botërore ku krahas meje kanë qenë edhe kolegët e mi shqiptarë si; Kledi Kadiu, Ilir Shaqiri, Altin Kaftira dhe gjithë balerinët e tjerë shqiptarë tashmë pjesë të Teatrit të Operas të Athinës.

Zakonisht artistët e konsiderojnë momentin e ngjitjes në skenë si takim me Zotin. Po ti, dhe mund të rendisje disa momente të tjera në jetë ku i përjeton sikur takon Zotin?

Them se Zotin e takojmë nga pak çdo ditë, në çdo vepër të mirë që bëjmë. Edhe kur jam në shfaqje them se Zotin e kam pranë në çdo moment. Por më shumë mirënjohës ndaj Tij kam qenë kur u bëra baba, aty kuptova dashurinë e prindit për birin e tij, se sa e rëndësishme është përkujdesja në çdo hap e çdo ditë. Ndaj them që është mirë të jemi njerëz të mirë e të përkujdesemi jo vetëm për veten, por edhe për ata që na rrethojnë. Vetëm në këtë mënyrë do ta ndjejmë praninë e Zotit çdo ditë.

Si burrë çfarë ka klasike në qenien tënde, çfarë moderne dhe çfarë kontemporane?

Artistët ashtu si dhe unë, jemi multidimesionalë, pra gërshetohemi sipas kontekstit. Jam klasik nën ndritën e qirinjve me një gotë verë të kuqe përpara, jam kontemporan me një shishe birre në koncertin e The Ëeeknd, dhe jam modern për të përqafuar çdo gjë të re.

I beson frazës “grua jete” apo “burrë jete”, dhe si balerin ia ke dalë të përjetosh këtë?

Unë e shoh jetën si një puzzle të madh, ku çdo copëz ka rëndësinë e saj. Rëndësi ka që të kënaqemi e t’u gëzohemi atyre që kemi, t’i vlerësojmë kur i kemi që mos t’ja ndiejmë mungesën kur të na kenë lënë. Edhe në skenë asgjë nuk është permanente. Çdo rol vjen në momentin e duhur e në skena të duhura ndaj jam munduar gjithmonë t’i përkushtohem çdo lloj roli, edhe ato që në dukje kanë qenë shumë të vogla. Përkushtimi dhe dashuria janë dy virtyte të qëndrueshme në jetën time./www.story.al