Olen Cesari i shpreh ëndrrën Elon Musk, çfarë i tha miliarderi

Nëse ëndrrat tuaja në sirtar ju duken të çuditshme apo të pamundura, do ndryshoni mendim pasi të lexoni këtë histori të violinistit Olen Cesari. Këto ëndrra mund t’i mbajmë pë vete apo t’ia tregojmë miqve të afërt, por në rastin e violinistit ia ka rrëfyer atë njeriut më të pabesueshëm dhe të pasur në botë. As më pak, as më shumë, pikërisht Elon Musk ishte personi që Cesari takoi krejt rastësisht në Brazil. Këtë takim të papritur ai e rrëfen për “Rudina” në Tv Klan.

Rudina Magjistari: Ëndrra jote në sirtar?

Olen Cesari: Dua të shkoj t’i bie violinës në Hënë. Më ka kapur paniku një ditë kur kemi qenë në Brazil, në Rio de Zhaneiro, ishte Viti i Ri dhe ka qenë fiks periudha kur unë po xhiroja klipin në Rio dhe në hollin e hotelit ishim aty në pishinë dhe shoh njërin që si fytyrë e njihja dhe nis më afrohet. Unë isha vetëm duke lexuar, duke parë diçka në telefon dhe ishte Elon Musk.

Rudina Magjistari: Jo, s’ka mundësi.

Olen Cesari: Po dhe po vinte. Erdhi te unë e më tha “dëgjo meqë këta stolat e tjerë a të bezdis të kap unë atë cepin aty?”. “Po”, i thashë unë, “pa asnjë lloj problemi”. Po ai s’ma vari më, as unë s’ia vara më. Pas 5 minutash filloi muhabeti sepse atje në Brazil, në atë moment atë nuk e njihte askush.

Më pas, në vendin ku ndodheshin Elon dhe Olen, vjen familja e sipërmarrësit dhe violinisti nisi të largohej për t’iu lënë hapësirë. Por biseda mes tyre kishte rrjedhur dhe teksa i kishte treguar arsyen pse ndodhej në Brazil, i la të kuptonte që për të Musk nuk ishte i panjohur.

Në njëfarë momenti unë i thashë “po mirë unë që kam bërë këtë budallallëkun këtu, po ti që ke bërë 100?” Ai sapo kishte hapur lojën me SpaceX, ishte tashmë pronar i Tesla dhe i thashë” shpikja jote më e bukur për mua është Paypal”. ”Oh, pse më njeh ti mua?”, ngeli ai, “po, e di se kush je”, i thashë por s’kisha bërë “U, erdhi Elon Musk”.

Në muhabet e sipër ai më pyeti të njëjtën gjë “kush është ëndrra jote?”,” ëndrra ime, nuk ta them se ti je nga ai lloj tipi që po ta thashë e bën realitet dhe po ma bëre realitet do boshatisem edhe për nja 10 vjet të tjera dhe nuk do di se ç’të shpik tjetër”. “Pse?” tha, “po ëndrra ime është t’i bie violinës në Hënë”, “po me mikrogravitetin si e menaxhon?”, “e menaxhoj s’është problem mikrograviteti, është problem mungesa e oksigjenit kështu që telat nuk lëvizin, nuk përçon audio”, i thashë. Edhe ai direkt më tha “s’ka problem, i bie me violinë elektrike”.

tvklan.al