Adriana Matoshi i kthehet atyre që e ofenduan për veshjen në Kuvend: Veshjet e mia gjithmonë janë artistike

Aktorja dhe njëherësh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi është përballur së fundmi me shumë komente për veshjen e saj në Kuvendin e Kosovës. Kombinimi i saj në seancën e fundit plenare mori kritika edhe në Instagram.

Kështu që, Adriana ka reaguar me anë të dy postimeve në Instastory, siç shpesh bën kur ndjen se ka diçka për të thënë.

“Për miqtë gazetarë, që po kërkojnë prononcim për veshjen time në Kuvend! Sinqerisht, më me dëshirë kisha marrë pyetje për sukseset e kësaj qeverie, për rikthimin e shkëlqimit të skenës kulturore, etj. Por unë nuk kam as mundësi që të zgjedh pyetjet, njëjtë siç askush nuk ka mundësi të vendosë qysh unë vishem ne Kuvend. Veshjet e mia gjithmonë janë artistike, pasi unë, mbi të gjitha, jam artiste dhe ashtu do të mbetet përjetësisht! Shijet janë relative, por edhe individuale. Veshja nuk më bën as deputete të keqe, as të mirë. Unë po e luaj rolin tim si deputete, për çfarë jam votuar. Kjo ka rëndësi! Por edhe një gjë e kam pritur: më shumë mbështetje nga gazetarët. Jam shumë e lumtur që jetoj në një kohë kur gratë në të gjithë botën e mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën, në çdo rrethanë, në çdo situatë. Gratë e Kosovës, pa përjashtim, duhet që sa më parë të kuptojnë këtë trend të rëndësishëm dhe kaq të nevojshëm për njerëzimin dhe të bëhen pjesë e forcimit të gruas. Ndërsa për ata që ofendojnë, tashmë jam rexhur”,- u shpreh Adriana duke nënkuptuar se është mësuar me vrerin online.

Aktorja ka qenë shpesh kryefjalë e mediave për shumë arsye, por roli i saj si deputete është mbështetur përherë jashtë gjithë historive personale dhe karrierës përtej politikës.