E veçanta e mbiemrave të Lindës dhe Amosit

Ndryshe nga vitet e kaluara, ka një qasje globale, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, të grave që zgjedhin gjithnjë e më tepër të mbajnë mbiemrat e tyre (të vajzërisë) pas martesës ose të kenë dy mbiemra, të tyre dhe të bashkëshortit. Megjithatë janë të rralla dhe pothuajse të pazakonta herët kur një grua ose një burrë zgjedh të prezantohet edhe me mbiemrin e nënës në rastet kur është ndryshe nga mbiemri i babait.

Thënë kjo, prezantimi në revistën G i vajzës së Vera Grabockës dhe Timo Fllokos, Linda, shënoi një moment të rrallë vite më parë. Në vitin 2008, ajo u shfaq në kopertinë së bashku me producenten Grabocka si Linda Flloko Grabocka Gorodezky. Linda zgjodhi jo një, as dy, por tre mbiemra: të babait, të nënës dhe të bashkëshortit.

Duke marrë parasysh konteksin kulturor të 14 viteve më parë – kur asokohe ishte e rrallë të mbaje mbiemrin e vajzërisë – Linda jo vetëm që e bëri këtë, por u prezantua edhe me një matronim, një emër i marrë nga nëna, gjyshja ose çdo paraardhëse femër. Në të gjithë botën, emrat matronimikë janë shumë më pak të zakonshëm.

Përpos Lindës, aktori Amos Zaharia mban edhe mbiemrin e të ëmës, Muji (ose Mujo). Në rrjete sociale dhe në çdo projekt të tij, ai prezantohet si Amos Muji Zaharia, duke mbajtur edhe mbiemrin e aktores Yllka Mujo edhe mbiemrin e të atit, Gjergj Zaharia.

Duhet thënë se legjislacioni shqiptar përcakton qartë se shtetasit duhet të mbajnë një mbiemër, e saksionuar kjo në ligjin “Për gjendjen civile” dhe “Kodin e Familjes” ku “fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.” Megjithatë, përtej ligjit, prezantimi me dy mbiemrat e prindërve merr një kuptim të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhënie të shëndetshme dhe jo raste të tjera.

Kur themi raste të tjera, e kemi fjalën për:
– Zgjedhjen e mbiemrit të nënës në rast divorci të prindërve (si rasti i Dafina Zeqirit që mban mbiemrin e të ëmës).
– Zgjedhjen e mbiemrit të nënës thjesht për arsye artistike (si Alban dhe Beatrix Ramosaj, të cilët ligjërisht kanë mbiemrin e të atit të ndjerë, Kamerolli).
– Zgjedhjen e mbiemrit të nënës për arsye shqiptimi në një vend të huaj (si Beniada Jakic që preferon këtë mbiemër në vend të mbiemrit Nishani).

Zgjedhje të tilla si Amosi dhe Linda janë të veçanta për faktin që theksojnë rëndësinë e mbiemrit si identitet dhe respektit për mbiemrat përkatës të prindërve. Nuk përjashtohet si zgjedhje për të theksuar barazinë gjinore, por në ditët e sotme, emra të tillë janë më së shumti një deklarate dashurie, mirënjohje dhe vlerësimi për mbiemrin e nënës.