Grammy kritikohet ashpër për mënyrën si përshkroi dizajnerin e ndjerë Virgil Abloh

Mënyra si Recording Academy – e cila organizon çmimet Grammy – përshkroi dizajnerin e ndjerë Virgil Abloh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy ka shkaktuar kritika të shumta në rrjete sociale.

Gjatë nderimit të figurës së tij në Grammy 2022, dizajneri i Louis Vuitton dhe themeluesi i Off-White – i cili u nda nga jeta në vitin 2021 për shkak të kancerit – u etiketua si “dizajner i modës hip hop”.

“Virgil Abloh ishte drejtori artistik i veshjeve për burra në Louis Vuitton dhe themeloi një shtëpi mode në Milano,” postoi podkasti “Watching the Throne”.

Edhe pse Abloh punoi me artistë të hip-hopit si Kanye West, kritikët vunë në dukje se ky përshkrim nuk e përfshinte karrierën e tij. Përveç Louis Vuitton dhe markës luksoze italiane Off-White, Abloh punoi me Fendi dhe Nike.

Përdorues të shumtë shkruan në Twitter: “Si u miratua ky përshkrim nga shumë njerëz?”. Të tjerë shtojnë se Grammy ka treguar “mungesë respekti”. Aq më tepër që në tapetin e kuq, yjet botërorë të K-Pop, sensacioni BTS, mbërritën të veshur me Louis Vuitton, krijimet e fundit të Abloh.

Virgil Abloh ishte dizajner, DJ dhe sipërmarrës amerikan, i cili ishte drejtor artistik i koleksionit të veshjeve për burra të Louis Vuitton që nga marsi 2018 derisa u nda nga jeta në nëntor 2021. Abloh ishte gjithashtu drejtori ekzekutiv i labelit me bazë në Milano, Off-White, një shtëpi mode të cilën themeloi në vitin 2012.

Me përvojë në arkitekturë, Abloh i hyri botës së modës përmes street fashion. Në vitin 2009, ai kreu një praktikë te Fendi së bashku me Kanye West. Pas kësaj ai bashkëpunoi me Kanye-n dhe nisi themelimin e Off-White.

Etiketimi si “dizajner i modës hip-hop” minimizon karrierën e Abloh, i cili ishte amerikani i parë me origjinë afrikane që u bë drejtor artistik i një shtëpie mode luksoze franceze dhe në vitin 2018, u cilësua nga revista Time si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.

Anabelmagazine