FOTO EKSKLUZIVE/ Sherr pas ndeshjes Partizani-Laçi, titullari i kurbinasve ngjitet në tribunë dhe…

Mjaftoi disfata e fundit ndaj Partizanit për të humbur qetësinë te Laçi, ku pas fundit të ndeshjes ka plasur edhe sherri në tribuna. Kur lojtarët po hynin në dhomat e zhveshjes, një tifoz i kurbinasve ka shfryrë ndaj futbollistëve për këtë humbje, duke lëshuar ofendime ndaj tyre.

Mesfushori Julian Shehu, me sa duket ishte më i prekuri dhe nuk mban dot nervat, ndaj hipën në tribunë dhe konfliktohet me tifozin e tij për disa momente, teksa u kapën edhe me duar.

U desh ndërhyrja e shpejtë e stjuardëve të stadiumit dhe tifozëve të tjerë të pranishëm për të neutralizuar situatën dhe ndarë palët, të cilët shkuan deri në konfrontim fizik mes tyre.

Pasi situata u qetësua disi, në dhomat e zhveshjes shkon edhe presidenti Pashk Laska, për të mësuar motivin e sherrit nga ana e lojtarit të tij. Madje, në përfundim të ndeshjes, Laska qëndroi me Shehun për të diskutuar rreth kësaj ngjarjeje të shëmtuar, e cila është e rrallë, pasi në këtë rast një lojtar përleshet me tifozin e skuadrës së tij dhe jo kundërshtarin.

FOTOT: F.Hazisllari

PANORAMASPORT.AL