Dy herë radhazi fitues, njihuni me këngëtarët që kanë bërë histori P.S përfshirë dhe Elsa Lilën!
Spunton për këtë shkrim e morëm nga Elsa Lila, e cila ka qenë kryefjalë e mediave shqiptare sot dhe dje. Elsa na rikujtoi që veç saj ka të tjera artiste/ë shqiptarë që ashtu si ajo kanë fituar dy ose tre herë radhazi kompeticionet muzikore ku kanë marrë pjesë.
Vaçe Zela
E para në listë është “the one and only” Vaçe Zela. Artistja e pakohë ka fituar tre herë radhazi festivalin e 4, 5, 6-të të RTSH-së dhe përkatësisht me këngët “Shqiponja e Lirë”, “Këngë për Shkurte Vatën”, “Mësuesi hero”. Zela është mbretëresha e festivalit të RTSH, duke rrëmbyer përsëri dy trofe radhazi në festivalin e 15-të dhe atë të 16-të me këngët “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”. Ndërsa në total Vaçe Zela është fituese e cmimit të parë plot 10 herë. A kemi të drejtë kur e cilësojmë si mbretëreshën e muzikës sonë?!
Alida Hisku
Festivali i 13-të dhe ai i 14-të i RTSH-së, ka vetëm një fituese dhe ajo është Alida Hisku. “Vajza e fshatit tim”, është hiti i padiskutueshëm në karrierën e saj me tekst nga Zhuljana Jorganxhi dhe muzikë nga Enver Shëngjergji. Por një vit më pas ajo do të fitonte çmimin e parë me këngën “Buka e duarve tona”, krijim ky i Kujtim Laro dhe tekst i Xhevahir Spahiu-t.
Manjola Nallbani
Këngëtarja e tre gjinive, (muzikës së lehtë, operistike dhe asaj popullore) Manjola Nallbani është një tjetër artiste që ka triumfuar dy herë radhazi në festivalin e fundvitit. Në festivalin e 31-të ajo do të fitonte çmimin e parë me këngën “Pesha e fatit” në bashkëpunim me Aleksandër Gjokën dhe Viktor Tahiraj, ndërkohë një vit më pas do të prezantonte në festival hitin e karrierës së saj “Kur e humba një dashuri”, një krijim i Vladimir Kotanit me tekst të Jorgo Papingjit.
Elsa Lila
Fenomeni Elsa Lila do të provonte emocionet e festivalit të 35-të ku goditi me këngën “Pyes Lotin”. Asokohe 15 vjeçarja Lila do të ishte kryefjala e muzikës shqiptare. “Talentin tim e zbuloi Valentin Veizi i cili më kërkoi që të merrnim të dy pjesë në festivalin e madh”, ka thënë në një intervistë për Opinion Plus të Blendi Fevziut, këngëtarja Elsa Lila. Një vit më pas Lila do të triumfonte përsëri dhe këtë herë me dy nga emrat më në zë të kohës Valentin Veizin dhe Alqi Boshnjakun. “Larg urrejtjes” arriti të fitonte epërsi kundrejt këngës “Fati ynë shpresë dhe marrëzi” të Aurela Gaçes.
Aurela Gaçe
Artistja Aurela Gaçe është dy herë fituese e festivalit të fundvitit, madje ajo ka arritur të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Megjithatë ajo është shpallur dy herë fituese radhazi e “Kënga Magjike” në 2014-tën me këngën “Pa kontroll” bashkëpunimin e saj energjik me Young Zerkën dhe në vitin 2015-të me baladën “Akoma jo”.
Alban Skënderaj
Edhe Alban Skëndëraj futet në listën e artistëve që kanë fituar dy herë radhazi në kompeticione muzikore. “Vetëm ty”, është hiti që do ta bënte të famshëm këngëtarin vlonjat, ku do të fitonte edicionin e dytë të Top Fest për të vijuar si fitues edhe në edicionin e tretë por këtë herë në bashkëpunim me “Kthjellu”. Kujtojmë gjithashtu që Alban Skënderaj është fitues i çmimit të parë në Kënga Magjike me këngën “Refuzoj”.