Ruslana flet ekskluzivisht për “Rudina”: S’e kam parë këtë skenë as në një film
Për herë të parë, Ruslana, artisja e njohur ukrainase foli mbi situatën e vështirë të atdheut të saj në Tv Klan gjatë një lidhjeje Skype me programin “Rudina”. Ylli i muzikës e nis bisedën duke treguar se ajo dhe familja e saj janë mirë, por po qëndrojnë në qytete të ndryshme të Ukrainës. Shqetësimi më i madh i Ruslanës nuk janë vetëm shkatërrimet, por edhe centralet bërthamore, ndaj ajo përdor zërin e saj për të kërkuar ndihmë.
Rudina Magjistari: Si është situata? E kemi ndjekur hap pas hapi në transmetimet tona, gjithë Shqipëria është me Ukrainën.
Ruslana: Unë dëshiroj që të gjithë ta mbështesin Ukrainën sepse kjo është luftë globale për të gjithë botën. Ne duhet të kuptojmë që sot rusët kanë marrë Çernobilin. Na duhet patjetër që të mbyllet ajri mbi Ukrainën sepse nëse do plasë centrali do jetë problematikë globale. Rusët kanë bllokuar centralin në Saporizhia dhe nuk lejon ndërhyrje aty. Unë nuk kam parë kurrë të gjithë pallatet e sheshuara. I kanë bombarduar të gjitha me armë. Jetimoret, spitalet, maternitetet. S’e kam parë këtë skenë në asnjë film të tmerrshëm.
Rudina Magjistari: Ruslana, ti në cilin qytet ndodhesh?
Ruslana: Unë ndodhem në veri të Ukrainës në një vend të sigurt ku mund të punoj por jam shumë e shqetësuar për familjen. Dje bëra një këngë të re, që është për gjithë botën dhe quhet “I am alive”. Në të janë të gjitha emocionet e asaj që po ndodh në këtë tani. Nëse e gjeni në Youtube dhe ta dëgjoni, do ta kuptoni të gjithën./tvklan.al