Lufta në sytë e Blendi Fevziut: Marrëzi pa kuptim, Putin do bjerë në kurthin e tij

Lufta Rusi-Ukrainë është tashmë në ditën e saj të 12-të, ndërsa vazhdon ende raundi i tretë i bisedimeve për paqen. Aktualisht, një pjesë e madhe e shteteve kanë sanksionuar Rusinë duke paralizuar ekonominë e saj dhe po favorizojnë lëvizjen e ukrainasve drejt territoreve të tyre. Teksa e ardhmja është e mjegullt dhe e pasigurt, Blendi Fevziu, i ftuar në “Rudina” në Tv Klan parashtron disa variabla të situatave që mund të përshkallëzojë konflikti, por sigurisht që gjithçka mbetet ende një pikëpyetje e madhe për të gjithë.

Rudina Magjistari: Bën dot një parashikim të ngjarjeve, si do të përfundojë?

Blendi Fevziu: Është shumë e vështirë. Me hamendjen time, edhe pse nuk mund të bëj profetin, mendoj që është fillimi i fundit të Vladimir Putinit, sido të jetë, nëse ai gjen një rrugëdalje përmes një marrëveshjeje ekuivoke që mund të duket sikur i nxjerr të dyja palët fituese, praktikisht ai do të ketë probleme shumë të mëdha në Rusinë që mbetet. Mund të rrezikojë që duke zgjatur luftën, do krijohet një kasaphanë njerëzore dhe një dramë refugjatësh në Ukrainë, por nga ana tjetër Rusia do të shkatërrohet ekonomikisht brenda 5-6 muajve, të paktën këtë thonë të gjitha parashikimet. Ekziston një rrezik tjetër, por që shpresoj se s’do ndodhë kurrë.

Rudina Magjistari: Po një valë e brendshme në Rusi, ka gjasa të ndodhë?

Blendi Fevziu: Për momentin jo, por unë mendoj që kjo do të jetë ajo që do t’’i japë fund. Putini nuk do rrëzohet nga jashtë, por nga brenda. Ki parasysh që dhe rusët vetë do fillojnë do ndërgjegjësohen që kjo është një marrëzi që nuk ka kuptim. Rusët dhe ukrainasit janë popuj që kanë pasur raporte të jashtëzakonshme. Rusët preken më shumë se të gjithë, janë të parët, pastaj vijnë të tjerët, Perëndimi dhe ne. Më të dëmtuarit janë ukrainasit që po humbin gjithçka, po luftojnë, por nga ana tjetër moralisht janë shumë superiorë. Nga ana tjetër janë rusët që po humbin nga ana ekonomike dhe pjesa tjetër e botës.

Unë mendoj që zgjidhja e vetme do jetë një lëvizje e brendshme në Rusi për ta rrëzuar Putinin, i cili erdhi si një lider që tentoi t’i jepte një lloj autoriteti Rusisë, të humbur nga dezintegrimi i Bashkimit Sovjetik. Këta njerëz që rrinë gjatë në pushtet, e humbin sensin e realitetit, nuk kuptojnë më, nuk dëgjojnë mendim të kundërt, e quajnë veten të plotfuqishëm dhe pikërisht ky është kurthi i parë i diktatorëve që pastaj bëjnë gabime.

Kështu ka ndodhur me Hitlerin, Milosheviçin, kështu mesa duket do të ndodhë me Putinin. Këta njerëz shpërdorojnë ose keqkuptojnë tolerimin që Perëndimi iu ka bërë në momente të caktuara, e marrin për dobësi dhe vendosin ta sfidojnë. Deri më tani, bota totalitariste nuk ka fituar kurrë mbi botën demokratike. Tentativa e këtyre njerëzve për të sfiduar botën demokratike, është kurthi më i madh ku ata bien vetë brenda./tvklan.al