Kolonel Dritan Demiraj nxjerr 10 këshillat për mposhtur Putinin në Ukrainë: Pushtimi Rus, fillimi i luftës guerrile
Ndërkohë që Ukraina ka hyrë në ditën e 4-t të agresionit të paprovokuar nga Rusia, Europa dhe mbarë opinion botëror janë shokuar nga ky sulm i paprecedentë, i paligjshëm dhe kriminal.
Siç u bë e qartë që para fillimit të pushtimit, planizimi i Shtabit të Përgjithshëm rus përfshinte ekzekutimin e pushtimit të Ukrainës nga tre drejtime kryesore:
1. Nga Bjellorosia në drejtim të Kievit me qëllim marrjen e kontrollit të tij, arrestimin e presidentit Zelensky dhe të lidershipit politik dhe ushtarak.
2. Nga ana lindore kryesisht nga drejtimi i qyteteve Klintsy dhe Kursku me objektiv marrjen e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës Kharkiv së bashku me krahinat në Donbas.
3. Në jug nga Gadishulli i Krimesë me objektiv avancimin në veri të saj, marrjen nën kontroll të krahinës së Odesës, Mariupol dhe bllokimin e të gjithë pjesës jugore të Ukrainës që ka dalje dhe akses në Detin e Zi.
I gjithë ky objektiv u planizua dhe ekzekutua nëpërmjet përdorimit intensiv të Brigadave speciale “Spetcnaz” dhe trupave parashutiste nëpërmjet infltrimit nga ajri dhe nga toka, përgatitjen me artileri me raketat ‘Kaliber KN’ kundër objektivave ushtarake, bazave ajrore, njësive të Shtabit të Përgjithshëm Ukrainas, selisë qëndrore të shërbimeve sekrete SSU, shërbimeve sekrete ushtarake, komandës së forcave speciale, selive të televizionit qeveritar, ndërtesës së qeverisë Ukrainase, nëpërmjet avancimit të konvojave ushtarake të mekanizuara, blinduara, tankeve me mbështetjen nga lart të helikopterëve të sulmit MI-35M, MI-24 dhe KA-52.
Përpara sulmit me forca speciale dhe raketa, u përdorën mjetet e luftës elektronike, me qëllim nxjerrjen jashtë funksionit të rrjetit të sigurtë të komandim-kontrollit të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të Divizioneve dhe Brigadave, forcave të Mbrojtjes Ajrore, Forcave Ajrore, njësive të inteligjencës, etj.
Direkt pas kësaj strategjie, u realizuan disa sulme intensive kibernetike kundër rrjeteve të komunikimit dhe internetit të ministrive të qeverisë së Ukrainës, kundër sistemit bankar, rrjetit të furnizimit me gaz dhe energji, rrjetit të komunikimit të forcave të armatosura, etj me qëllim dëmtimin e komunikimit midis njësive ushtarake, policore dhe mungesën e ofrimit të shërbimeve sociale.
Në të njëjtën kohë sa më lartë, Kremlini filloi aplikimin në rrjetet sociale të luftës së keqinformimit dhe përhapjes së propagandës në bashkëpunim me format e luftës klandestine nëpërmjet spiunëve të infiltruar që më parë në thellësi të vendit, duke përhapur narativën se populli dhe ushtria duhet të merrnin në dorë fatet e popullit kundër qeverisë naziste të presidentit Zelenski (me origjinë hebre) dhe duke bërë thirrje që ushtria të ulte armët.
Por ajo që nuk kishte marrë parasysh Putini dhe ‘cari’ i tij i luftës gjenerali Gerasimov, ishte se ata i kishin bërë llogaritë gabim duke nënvleftësuar presidentin Zelenski dhe të gjithë drejtuesit e tjerë qëndrorë dhe lokalë të Ukrainës, të cilët jo vetëm që nuk iu nënshtruan kërcënimeve ruse, por bënë thirrje publike për fillimin e rezistencës duke mobilizuar gjithë popullin.
Përkundrazi, presidenti Zelenski dhe qeveria e tij bëri thirrje publike që ushtria dhe popullsia e Ukrainës të fillojnë organizimin e një kryengritje të gjerë, luftës guerrile ose të Gjeneratës së IV-rt kundër këtij pushtimi, i cili brënda katër ditëve po i kujton Rusëve konfliktin në Afganistan (1979-1989) në të cilin për 10 vite humbën hiç më pak se 15.000 ushtarë të vrarë, 469.685 ushtarë të plagosur ose afërsisht 73 për qind e të gjithë forcave prej 640.00 trupash që morën pjesë në këtë pushtim.
Putini dhe vartësit e tij me sa duket kanë harruar mësimet e nxjerra nga historia, ku ushtritë e mëdha kanë dështuar me shumë sukses ndaj një fuqive më të vogla. Kjo mungesë largpamësie ka qënë e dukshme sidomos gjatë katër konflikteve të katër dekadave të fundit në Vietnam (1965-1975), Afganistan (1979-1989), Irak (2003-2011) dhe përsëri në Afganistan (2001-2021).
Por ky konflikt e ka zanafillën në datën 4 shkurt 2016, ku Vladimir Putini nën delir do të deklaronte se: “Nëse do të dëshiroja, për dy ditë forcat ruse mund të shkojnë jo vetëm në Kiev, por gjithashtu edhe në Riga, Vilnius, Tallin, Varshavë dhe në Bukuresht”.
Pikërisht kjo deklaratë shfaq haptazi ambiciet e Putinit për zgjerimin e influencës së tij jo vetëm në Ukrainë, por siç e kemi thënë edhe herë të tjera në Letoni, Lituani, Latvia, Poloni, Rumani dhe në vendet Nordike Suedi dhe Finlandë, dy të fundit i kërcënoi edhe dy ditë më parë.
Pikërisht këtu e shohim qartë mendësinë diktatoriale dhe kriminale të tij. E kam thënë në opinion në datën 14 shkurt, se Rusia nuk ka asnjë mundësi që të mbajë të pushtuar shumë nga territoret e Ukrainës, pasi nuk ka fuqinë dhe sasinë e duhur të forcave dhe mjeteve. Për këtë qëllim po bëjmë një analizë modeste dhe të shkurtër sa më lartë.
Për shkak të krimeve të kryera gjatë këtyre katër ditëve, urrejtja kundër rusëve në Ukrainë është shtuar ndjeshëm duke bërë që nacionalizmi të rritet në nivelet që nuk kishte arritur asnjëherë më parë. Prej 8 vitesh, që nga pushtimi i Gadishullit të Krimesë në muajin mars 2014, Ukraina në bashkëpunim me SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore, kryesisht Britaninë dhe Francën ka punuar ngushtë për rritjen e kapaciteteve operacionale me qëllim sprapsjen e një pushtimi nga Rusia dhe rritjen e kostove të pushtimit.
Pikërisht kjo favorizohet nga pozita gjeografike e Ukrainës, pasi ajo kufizohet nga ana perëndimore me katër shtete të NATO-s, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe në jug me Rumaninë. Këto kufij, i mundësojnë asaj që të marrë në mënyrë të vazhdueshme asistencë ushtarake nga SHBA-të dhe vendet e NATOs, duke e mbështetur në këtë mënyrë rezistencën e ushtrisë dhe të popullit ukrainas në mënyrë të vazhdueshme, efektive, të qëndrueshme duke ia djegur pushtuesve rusë ‘tokën nën këmbë’.
Asistenca e fundit ushtarake me raketa dhe pajisje luftarake që po vazhdon në Ukrainë, kryesisht nga SHBA-të, Britania, Franca, Hollanda, etj dhe dërgimi së fundi i 500 raketave kundërajrore ‘Stinger’ dhe 1000 raketave kundërtanke nga Gjermania do të shërbejnë si një “Big Game Changer” në këtë konflikt së bashku me asistencën e raketave të tjera kundërtanke amerikane ‘Javelin’, ‘TOw’, ‘Milan’, etj duke bërë që njësitë tankiste, të mekanizuara dhe blinduara ruse të përballen me humbje të mëdha.
Në gjykimin tim, Ukraina me qëllim rritjen sa më shumë të kostos së pushtimit dhe të mposhtjes së ushtrisë ruse ndër të tjera duhet të bëjë sa më poshtë vijon:
1. Organizimin e njësive territoriale dhe guerrile në bazë lagje, zone, krahine, qyteti me asistencë të huaj nën drejtimin e grupeve të vogla të forcave speciale dhe të inteligjencës, me qëllim koordinimin e operacioneve dhe sulmeve në çdo moment.
2. Shkëputjen e rrugëve të transportit duke filluar nga drejtimi i kufirit të Rusisë në thellësi të vendit, nëpërmjet goditjes së vazhdueshme të tankeve dhe mjeteve të blinduara, veçanërisht të mjeteve të rënda TOS-1 240 mm nxjerrja jashtë luftimit e të cilave do të ulte shumë kostot e luftës pasi janë armë shumë të fuqishme. Këto mjete dhe jo vetëm, duhet të nxirren jashtë luftimit përpara se të arrijnë në vendin e përdorimit gjatë gjithë kohës ndërkohë që avancojnë në thellësi të territorit të vendit, nëpërmjet përdorimit efektiv të raketave moderne kundërtanke të dhëna nga vendet perëndimore.
3. Goditjen e vazhdueshme të rrugëve të komunikimit, bllokimin dhe ndalimin e mjeteve të logjistikës, nëpërmjet mbajtjes nën sulme të vazhdueshme të automjeteve të karburantit, municionit, ushqimit, ndihmës së shpejtë, etj duke e bërë të pamundur furnizimin e trupave pushtuese në thellësi të vendit.
4. Përdorimin e efektiv të raketave kundërajrore, duke iu mohuar krejtësisht ushtrisë dhe aviacionit rus avantazhin e përdorimit të mjeteve ajrore të sulmit, duke rrëzuar sa më shumë që të jetë e mundur helikopterët e sulmit MI35M dhe KA-52. Rrëzimi i helikopterëve të sulmit, do të ulë ndjeshëm tempin dhe fuqinë e avancimit të këtyre trupave drejt objetivave ushtarakë, do t’i lërë pa mbështetjen e duhur forcat speciale dhe parashutiste, duke bërë në këtë mënyrë me të lehtë asgjësimin ose mbajtjen e tyre gjatë gjithë kohës nën goditje.
5. Ekzekutimin e sulmeve të vazhdueshme natën, me grupe të vogla me taktikat sulmo-dhe-largohu, në mënyrë që t’i bëjë njësitë pushtuese ruse të mos ndihen të sigurta në asnjë momend dhe në asnjë vend, duke ulur në këtë mënyrë moralin e këtyre forcave. Deri tani kjo taktikë ka figuruar e suksesshme, por një organizim më i mirë është i detyrueshëm dhe i nevojshëm.
6. Përdorimin sa më efektiv të njësive të forcave speciale, të cilat duhet të shpërndahen në të gjithë frontin me grupe të vogla, në mënyrë që të fillojnë organizimin e njësive klandestine, drejtimin e sulmeve tek postë komandat ruse, vendet e stacionimit të mjeteve ruse të forcave ajrore dhe vendeve ku janë stacionuar raketat TOS-1 dhe mjetet e tjera të artilerisë së rëndë.
7. Përdorimin efektiv të njësive sekrete dhe speciale, me qëllim dhënien e saktë të koordinatave për goditje ajrore nga avionët ose raketat e ushtrisë së Ukrainës.
8. Rritjen e bashkëpunimin midis rrjeteve klandestine ukrainase me shërbimet sekrete dhe forcat speciale perëndimore, me qëllim rritjen sa më shumë të kostos së pushtimit rus.
9. Mbajtjen nën goditje të vazhdueshme të të gjithë konvojave, postoblloqeve, njësive të dislokuara ruse në çdo vend, kohë dhe mënyrë ku shfaqen dhe veprojnë.
10. Perforimin efektiv të droneve turke të sulmit TB-2 dhe armeve kunderajrore perendimore te cilat keto dite kane shkaktuar deme te konsiderueshme, etj.
Si përfundim, ngjarjet e fundit po shfaqin qartë se vizioni i Putinit për të ardhmen e botës i cili është bërë i qartë nga një model i qëndrueshëm i sjelljes përçarëse me përdorimin e forcës dhe intrigave diplomatike, keqinformimit të publikut, sulmeve të fshehta, luftës së parregullt, goditjes, helmimit dhe vrasjes së kundështarëve të tij politikë, etj të cilat demonstrojnë strategjinë e tij për të ringritur Rusinë si një fuqi botërore, pas dështimit të këtij konflikti nuk do të kenë mundësi që të realizohen.
Putin e shikonte Europën lindore në të ardhmen e afërt nën kontrollin e Moskës dhe të integruar në sferën e influencës kulturore, ekonomike dhe politike të Rusisë, por në të njëjtën mënyrë duke u përpjekur me të gjitha mënyrat që edhe Europa Perëndimore të ishte e varur nga enegjia ruse, pra një politikë izoluese dhe më e rëndësishmja anti-amerikane.
Tani atij i duhet të përballet me izolimin nga bota perëndimore, sanksionet e tmerrshme ekonomike, sanksionet personale kundër tij dhe ‘carit’ te diplomacise Lavrov, gjykatën ndërkombëtare për pushtimin e një vendi te pavarur, vrasjet dhe masakrat kundër civilëve, shkatërrimin e shumë qyteteve, luftën agresive guerrile kundër ushtrisë së tij, humbjen e panevojshme të jetës së mijëra ushtarëve rus, shkatërrimin e mjeteve të tij ajrore, detare dhe mjeteve të blinduara dhe rritjen e pakënaqësisë, inflacionit, trazirave te brendshme të popullsisë në vendin e tij.
Të gjitha sa më lartë por jo vetëm, na bëjnë të arrijmë në konkluzionin se gabimi i fundit i Putinit për pushtimin e Ukrainës mund të jetë dhe fundi i tij politik./ Dritan Demiraj, ish-Ministër i Brëndshëm, postimi i marrë në Facebook