“Big Brother 9” nis në mars, ndalohet seksi në shtëpinë me kamera
“Reality show” i shumëpritur “Big Brother 9” nis transmetimin në ekran në mars, ndërkohë që moderatorja e njohur Arbana Osmani ka zbuluar rregullin numër 1 të këtij edicioni, atë që ndalon seksin. Kështu personat që hyjnë çift në shtëpinë e vëzhguar nga kamerat, apo ata që do të lidhen brenda lojës e kanë të ndaluar të kryejnë marrëdhënie seksuale. Arbana Osmani pas programit “Dua të të bëj të lumtur”, i rikthehet “BB 9”, në këtë sezon të ri të “TCH”. “Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë “BB” do të fokusohet tek dashuria, ndaj edhe janë më të hapura pjesëmarrjet në çift: të dashur, të fejuar, të martuar. Por nuk është kjo e vetmja risi. Nëse më përpara kërshëria ka qenë “a do ketë lidhje brenda në “Big Brother” dhe “a do kryhen marrëdhënie seksuale”, këtë vit, me sa di unë nuk do të lejohen njerëzit që të kryejnë seks, dhe ky është rregull i padiskutueshëm. Nëse thyhet, ata do të përjashtohen”, tha ajo në intervistën e saj për programin “Pasdite” të Jonida Shehut.