Futbollisti shqiptar lë nam në Angli, shkon me hudhër në çorape
“Pse keni një thelpi hudhër në çorape?” Kjo ishte pyetja që lojtarët e Kiderminster i bënë, mbrojtësit shqiptar Geraldo Bajramit, qendërmbrojtësit shqiptar, gjatë aventurës së tij në FA Cup në muajin tetor.
Një situatë e çuditshme, që i ka surprizuar të gjithë në Angli. Por duket se kjo besëtytni e Bajramit, i ka sjell fat skuadrës angleze të Kiderminster, pasi është ekipi në ligën e katërt, ka arritur të sigurojë një biletë për raundin e 1/16 të FA Cup ku do të përballet me Uest Hemin në një duel historik!
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “The Athletic”, mbrojtësi shqiptar Geraldo Bajrami, iu ka shpjeguar anglezëve edhe qëllimin e mbajtjes së hudhrës në çorape. Duke buzëqeshur për pyetjen e bërë nga gazetari, Bajrami sqaroi:
“Djemtë më kanë tallur për hudhrën. E vendosa pranë këpucës sime për të mbajtur larg syrin e keq dhe ata që dëshirojnë gjëra të këqija për mua. Është një gjë shqiptare. E përdorim për të mbajtur larg energjinë negative”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari, i cili numëron 8 ndeshje me fanellën e Shpresave të Shqipërisë.
“Mbrojtësi ynë i majtë, Kaleb Riçards, më pyeti pse e përdora hudhrën para raundit të fundit të FA Cup dhe ia shpjegova arsyet. Tani ai po më pyet nëse mund t’i marr një sepse gjithçka po funksionon mjaft mirë”, vijoi Bajrami.
Triumfi 2-1 ndaj Riding, ishte i jashtëzakonshëm për Kiderminister, teksa në datën 5 do të përballen me Uest Hemin. Pavarësisht se diferencat janë të frikshme, mbrojtësi shqiptar është optimist dhe beson tek mrekullia.
“Ne i dimë diferencat mes të dyja skuadrave dhe e respektojmë në maksimum kundërshtarin, por luajmë në shtëpi, kështu që kemi ende pak shpresë”, përfundoi Geraldo Bajrami.