Trajneri bën filozofin në rrjetet sociale, Longo si Alegri: Futbollin e paska shpikur djalli
Humbja ndaj Tiranës rëndon shumë, për më tepër që erdhi në shifrat 4 me 0, me verilindorët të cilët zhvilluan një nga takimet më të dobëta të këtij sezoni. Përveç shifrave të thella, diferenca tani me bardheblutë shkon në nëntë pikë dhe praktikisht titulli është një çështje e mbyllur. Një skuadër që u “çarmatos” në fushë dhe që tregoi se ka probleme. Megjithatë, mbetet për t’u luajtur edhe gjysma e kampionatit dhe historia e sezonit të kaluar me Vllazninë i jep ende shpresë, por gjithsesi një humbje në ndeshje direkte rëndon shumë dhe nuk është e lehtë edhe sa i përket aspektit psikologjik.
LONGO – Gjithsesi, në Kukës duan të luajnë dhe besojnë deri në fund dhe nëse ka një njeri që nuk kërkon të dorëzohet, ai është tekniku Diego Longo, i cili beson se me punë mund të arrihet gjithçka. Italiani ka reaguar në rrjetet sociale një ditë pas humbjes, duke kërkuar që të lihet pas ajo sfidë, të cilën ua faturon më shumë detajeve dhe këmbëngul ende te çështja e mbrojtësit Pëllumbi. Sipas tij, kampionati është ende i gjatë. “Në lojërat e mëdha, detajet, detajet dhe episodet bëjnë diferencën. Edhe pse me disa mungesa që nuk doja t’i kisha, veçanërisht atë të Pëllumbit një orë nga fillimi, deri në 3-0, qëndruam gjithmonë në lojë. Kemi pasur shumë mundësi për ta rihapur, por nuk ishim të saktë dhe as me fat. Kjo është një keqardhje e madhe, jo një justifikim. Dikush thoshte se ‘djalli duhet të ketë shpikur futbollin’, unë mendoj kështu, për mirë e për keq. Urime Tiranës që e meritoi fitoren. Kampionati është ende i gjatë, kemi shansin të rikuperojmë dhe të heqim shumë kënaqësi. Ne mund t’ia dalim vetëm përmes punës së përditshme të palodhur që do të na mundësojë të përmirësojmë veten dhe të shmangim të bëjmë përsëri gabimet që na kushtojnë pikë”, shkruan Longo, i cili nga ana tjetër nuk kërkon justifikime për këtë humbje, duke uruar edhe kundërshtarin.
DISFATA – Kukësi nuk është mësuar të humbasë në këto shifra në kampionatin shqiptar, pasi në këto 10 vite që është pjesë e elitës ka qenë ndër skuadrat që ka pasur gjithnjë pretendime dhe një skuadër cilësore. Humbja me katër gola diferencë në Superiore ka ndodhur në vetëm dy raste, një ishte ndaj Tiranës dy ditë më parë, ndërsa tjetra ndaj Partizanit, po në këto shifra sezonin e kaluar. Vjet ndodhi në javën e 29- të kur praktikisht Kukësi kishte dalë nga objektivat dhe dihen problemet që pati, ndërsa kjo e këtij sezoni ndaj Tiranës ishte krejtësisht e papritur.
Ja çfarë tha Alegri pas Interit
Masimiliano Alegri pranoi se humbja e Juventusit në Superkupën e Italisë ndaj Interit, pesë sekonda nga fishkëllima e fundit e bën atë të ndihet se “futbolli u shpik nga djalli”. “Ishte një lojë e vërtetë, një test i mirë për ne për të parë se ku jemi. Fatkeqësisht, futbolli ndonjëherë duket sikur është shpikur nga djalli”, tha Alegri në mes të janarit. Të njëjtën deklaratë e bëri edhe Longo, por si zakonisht ishte kopje.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL