Rrahu të dashurën, Greenwood braktiset nga të gjithë: klubi, shokët, sponsorat e tifozët distancohen

Mason Greenwood ka mbetur vetëm. Pas arrestimit për përdhunim dhe dhunë ndaj të dashurës së tij, sulmuesi 20-vjeçar i Manchester United është braktisur nga të gjithë. Ronaldo dhe Pogba janë vetëm dy nga shokët e skuadrës që nuk e ndjekin më në rrjetet sociale, Nike dhe sponsorë të tjerë e kanë shkarkuar lojtarin, klubi ka ndaluar shitjen e marketingut të tij dhe disa tifozë janë paraqitur në dyqanet e klubit për të kërkuar ndryshimin e fanellës së tij, që nuk e duan më.

Sponsori i fanellave të United, TeamViewer, ka pranuar se po “monitoron nga afër zhvillimet” dhe partneri zyrtar Cadbury ka njoftuar se Greenwood nuk do të shfaqet në asnjë nga produktet e tyre të marketingut. Emri i tij është hequr nga lista e lojtarëve në dyqanin online të klubit.

Bota e Greenwood filloi të shpërbëhej të dielën e kaluar pasi e dashura Harriet Robson postoi foto dhe video në mediat sociale ku e akuzonte atë për abuzim seksual, dhunë dhe keqtrajtim. “Për të gjithë ata që duan të dinë se çfarë më bën në të vërtetë Mason Greenwood” është mbishkrimi që shoqëronte imazhet e vajzës me fytyrë të gjakosur dhe trup të mbuluar me mavijosje. Policia e Mançesterit arrestoi futbollistin dhe Djajtë e Kuq e pezulluan menjëherë.