“Thonin do të të vrasim”- Arbana Osmani rrëfen momentet më të vështira të karrierës së saj: Isha e tronditur
Moderatorja e njohur Arbana Osmani është prej më shumë se dy dekadash tashmë pjesë e botës së televizionit. Ajo ka folur së fundmi rreth karrierës së saj dhe momenteve më të vështira që ka kaluar në aspektin profesional.
Në një intervistë në emisionin “Ëndërrtjerrësit”, moderatorja duke treguar rreth karrierës së saj, veçoi si momentin më të vështirë ditën kur themeluesi i “Top Channel”, Dritan Hoxha ndërroi jetë.
Asokohe Arbana Osmani drejtonte edicionin e parë të reality-showt “Big Brother” dhe duhet t’ia jepte këtë lajm banorëve që ishin të izoluar nga bota jashtë dhe aktualiteti.
“Humbja e Tanit na ka prekur jashtëzakonisht shumë të gjithëve. Më duhej të ikja ta jepja këtë lajm te banorët, ndërkohë që vetë isha e tronditur. Ishim të tronditur, jo vetëm se kishim humbur një njeri që na udhëhiqte, me të cilin kishim ndërtuar këtë ëndrrën tonë, por me humbjen e tij na u duk sikur humbëm busullën”, rrëfen moderatorja.
“Si pasojë e një aksidenti, Presidenti i Top Medias, zoti Dritan Hoxha ka vdekur”, u tregoi ajo banorëve.
“Big Brother donte dhe dy javë të mbaronte dhe ne nuk e dinim si do të shkonte. Thoshim çfarë do të bëjmë pa Tanin, për çfarë do të shkojmë më në punë”, tha ndër të tjera ajo.
Arbana Osmani tregoi edhe një tjetër moment të vëshitirë gjatë karrierës së saj, kësaj here në emisionin “Dua të të bëj të lumtur”.
Ajo tregoi se historia e dashurisë së dy të rinjve që ishin kushërinj të largët solli revoltë dhe incidente në studio nga ana e familjarëve të vajzës të cilët nga prapaskena kërcënonin djalin.
Moderatorja tha se është telefonuar policia për të mbërritur në studio pas kërcënimeve të shumta ndaj djalit. Megjithatë ajo tregoi se vajza e pranoi propozimin e të riut dhe sot dyshja janë më të lumtur se kurrë.
“Kjo ka qenë një histori kur këta të dy kanë qenë kushëri të largët dhe fisi i kësaj vajzës nuk pranonte lidhjen. Ai do t’i propozonte, erdhën të gjithë. Thonin do të të vrasim, erdhëm aty, u përplasën. Njëra thoshte nuk dal nga studioja sepse më vrasim, as të tjerët nuk dilnin. E mori unazën, e pranoi dhe sot janë bashkë”, tregoi Osmani.