A do e “braktisë” flamurin shqiptar? Kampioni Briken Calja: S’më tundojnë lekët, por kurrë … Synimi im, medalja arit në Lojërat Olimpike
Kampioni i botës, Briken Calja ka deklaruar se s’do e braktisë kurrë flamurin shqiptar, për të përfaqësuar shtet tjetër në peshëngritje.
Peshëngritësi i medaljeve të arit, deklaroi se nuk e tradhtonte flamurin shqiptar, për asnjë lloj flamuri pasi nuk tundohet nga vlera monetare.
“Nuk më tundon vlera monetare, është normalisht pjesë e punës dhe që të suporton. Por unë kurrë, s’do ta tradhtoja flamurin shqiptar, për asnjë lloj flamuri.
Çdo medalje ka kënaqësinë e vet, në Rumani ishte rezultati i parë me 3 medalje e parë, ishte ndjesi e bukur dhe kushdo e ëndërron. Por rezultati më i madh është kampioni i botës dhe i pari në Shqipëri.
Së shpejti vjen Europiani dhe premtoj që do të flasë sërish shqip, ashtu siç foli botërori. Synimi im madhor është padiskutim Paris 2024 me medalje.
Unë vazhdoj të jetoj në Elbasan, i kam të gjitha mundësitë për të lëvizur dhe i kam mundësi, por më pëlqen të jetoj aty. Mbase në një të ardhme të afërt mbase do lëviz”, tha ai në RTV Ora.
Briken Calja tregoi se deri tani ka fituar 38 medalje dhe synimi i tij janë Lojërat Olimpike në Paris në vitin 2024, pasi vetëm aty s’ka siguruar medalje ari.
“Kam fituar 38 medalje në total. Synimi im i vetëm janë lojërat Olimpike sepse medaljen e arit në Europian dhe Botëror e kam marrë. Fitoret janë punë e një grupi dhe jo vetëm e imja”, tha peshëngritësi.