Video/ 100 minuta për fitoren e vitit: Xhixha shemb Partizanin dhe i jep arratinë Tiranës, në një derbi me ndërpreke, polemika e penallti
Arratiset Tirana e Shehit e ndihmuar nga ndalesa e ndjekësve, me triumfin e dytë në derbin kryeqytetas këtë sezon të vështirë për Partizanin, që del -7 nga orbita Europë. Një ndeshje me tension të ndërprerë katër herë e të vendosur në minutën e 100 nga një gol i Xhixhës që fiksoi triumfin 2-1 të bardhebluve.
Pa Najdovskin, por me Xhixhën, Tirana kishte marrë masat për një ndeshje aggressive, por në anën tjetër edhe Daja gjithashtu, me shkëndijat e para të dhëna nga Cara që në sekondat e para, tension që iu përcoll edhe tifozëve që mbytën atmosferën me fishekzjarret për ndalesën e parë të lojës. Skuadra e Shehit mori avantazhin në të 27, në zhvillimet e një goditje këndi, kur goditja e Ngo’o u përplas të Përgjoni për të përfunduar në rrjetë.
Partizani nuk mund të lejonte një tjetër derbi të humbur, por nuk kishte idenë e duhur për të kërkuar barazimin, edhe pse u mundua të instalohet në zonën kundërshtare. Një naivitet i Tolit, që në sytë e Xhajës në të 78 pengoi Carën për një 11 metërsh, ndryshoi situatën. Bekaj konfirmoi aftësitë e tij intuitive, duke ndalur Junior, por gjyqtari vendosi përsëritjen për hyrje të lojtarëve bardheblu në zone, duke nervozuar tifozët që mbajtën pezull për 3 minuta të tjera përsëritjen e penalltisë, herën e dytë të transformuar qetësisht nga Junior.
Partizani në këtë pikë mendoi se mund të fitonte, por Tirana rrëmbeu fitoren në minutën e 100 falë një aksioni brilant të finalizuar nga Xhixha, që pikët bardheblu i coi 33, diferencën me Kukësin 5, fitoren në derbi 2, duke i dhënë Shehit e të tijve Krishtlindje të lumtura.