Ndahet nga jeta në moshën 64-vjeçare poeti i njohur Arben Duka

Ka ndërruar sot jetë poeti i njohur Arben Duka, i cili prej kohësh ka pasur probleme shëndetësore.

Lajmi i hidhur bëhet me dije nga Aleksandër Çipa, që përmes një statusi në rrjetet sociale shkruan: “Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm!!!”.

Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Ka ndofta biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vend. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974.

Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkëautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirikë në shumë të përditëshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat E Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë.

Por Arben Duka është më së shumti një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës, është e pamundur të shkruhet gjithë ajo listë e gjatë. Duka është autor i tekstit të Hymnit të Policisë së Shtetit.