Ardi Asllani vishet çdo ditë si për festë, kombinimet e guximshme të stilistit elegant
Stilisti i njohur i talent show-t “Tu Si Que Vales Albania”, “Dancing with the stars”, e të tjera spektakleve në “Vizion Plus”, Ardi Asllani shquhet për klasin dhe veshjet e bukura në stilin e tij personal. Nga përditshmëria deri tek programet televizive apo eventet ku është i ftuar, Ardi shfaqet elegant dhe me shije duke përdorur gjithë spektrin e ngjyrave, nga e zeza shik e deri tek e kuqja e pasionit, që mesa kemi parë është ngjyra e tij e preferuar. E kemi zgjedhur për rubrikën “Me stilin e…” të këtij muaji, për të treguar larminë e kombinimeve mashkullore, nëpërmjet ideve të një stilisti si ai.
Qershor 2011
Në sfilatën e përvitshme të “Geraldina Sposa”, Ardi ka kombinuar të zezën me të bardhën, duke mos përjashtuar as atletet bardh e zi. Kjo veshje mund të hyjë tek ato casual, pasi për t’u dukur paksa i shpërfillur ka përveshur mëngët e xhaketës.
Shtator 2013
Në eventin e “Luisa Spagnoli”, Asllani mund të themi se ka guxuar me të vërtetë shumë. Kostumi me pantallona të shkurta dhe me ngjyrën portokalli është mjaft ekstravagant, aq sa vetëm një stilist që mund të ekperimentojë si të dojë me veshjen mund ta veshë një kostum si ky.
Tetor 2013
Në ndarjen e çmimeve “Kult” në vitin 2013, Ardi Asllani ka veshur pantallonat në ngjyrën shegë, duke i kombinuar me lidhëset e atleteve. Pantallonat me ngjyra të ndezura janë një “mollë e ndaluar” për djemtë në përgjithësi, pasi kërkojnë shumë stil dhe lojë me detajet për t’i përshtatur. Por Ardi di si t’i kombinojë!
Prill 2014
Në mbrëmjen gala të “Albtelecom”, stilisti i njohur bie në sy me pantallonat me kuadrata. Xhaketa e zezë është gjithmonë neutralizuesja në raste të tilla, për t’u dukur si i veçantë ashtu dhe serioz. Edhe në këtë rast Ardi ka guxuar me pantallonat që s’mund t’i veshin të gjithë.
Qershor 2014
Në eventin e përvitshëm të çmimeve “Kult”, Ardi Asllani ka kombinuar ngjyrat e ftohta me xhaketën e zezë. Motivet e pantallonave të parshtatura me bluzën gri, duken perfekte tek një trup elegant.
Mars 2016
Veshje e zezë me këpucë në ngjyrën e tullës, ishte kombinimi i Ardi Asllanit në koncertrin e Saimir Pirgut në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” në Tiranë. Kjo mund të themi që është ndër veshjet e tij më të bukura dimërore.
Në show-n gjigant “Top Music Awards”, ku artistët dhe personazhet e njohur VIP parakaluan në tapetin e kuq në “Pallatin e Kongreseve”, Ardi Asllani kishte zgjedhur të zezën klasike. Kombinimi i gjetur me detajet e kuqe, ku binim në sy këpucët moderne natyrisht duken këndshëm.