Iman flet për David Bowie: ‘Ai nuk është burri im i ndjerë, ai është burri im’
Ata u takuan përmes një takimi të organizuar nga një mik i përbashkët në Los Anxhelos. Ai ishte gjeniu i rock & roll-it dhe krijuesi i hiteve si “Ziggy Stardust” dhe “Space Oddity” mes shumë të tjerave. Ajo ishte supermodelja nga Somalia, e cila fliste pesë gjuhë, bukuria dhe inteligjenca e së cilës kishin magjepsur botën e modës dhe më gjerë.
“David tha se ishte dashuri me shikim të parë,” tha Iman, 66 vjeç, për People. “Mua m’u deshën disa muaj […] Unë e njihja atë si njeri, David Jones, emrin e tij të vërtetë. Dhe jo ylli i rrokut.”
Historia e tyre ishte gjithmonë një histori shumë private, por tani, më shumë se pesë vjet pas vdekjes së tij nga kanceri në vitin 2016, ajo ka krijuar parfumin e parë, Love Memoir, për “romancën epike”. Ideja i erdhi teksa jetonte në shtëpinë e tyre të fshatit të vendosur në male në veri të New York-ut. Në vitet e para pas vdekjes së tij, kishte qenë e dhimbshme të kalonte shumë kohë atje.
“Unë thjesht trishtohesha shumë dhe kthehesha me nxitim në qytet. Mendoja se e kisha përpunuar [humbjen], por nuk ishte kështu.”
Në izolim, Iman tregoi për People se gjeti ngushëllim mes pikturave të tij të preferuara, librave gjithnjë të pranishëm dhe perëndimeve të zjarrta të diellit që të dy i donin.
Tani që ai është larguar, thotë Iman, “Ka ditë që janë më të vështira se të tjerat, por kujtimet nuk janë të gjitha të trishta se pse personi nuk është këtu. Kujtimet tani janë se sa i mrekullueshëm ishte.”
Ajo nuk mendon të martohet përsëri. Kur vajza e saj, Alexandria “Lexi” Jones, tani 21 vjeçe, e pyeti për këtë, Iman kujton:
“Unë thashë ‘Jo, nuk do martohem.’ Ndihem ende e martuar. Dikush disa vite më parë e quajti David si burrin tim të ndjerë dhe unë i thashë ‘Jo, ai nuk është burri im i ndjerë. Ai është burri im’.”
Ndër të tjera, ajo shton:
“Padyshim që e ndjej praninë e tij, veçanërisht kur shikoj perëndimin e lavdishëm të diellit në shtëpinë tonë, sepse David i pëlqente perëndimet e diellit. Pra, në atë mënyrë ai është gjithmonë i pranishëm. Përmes kujtesës sime, dashuria jeton.”