Elvana Gjata festoi 30 vjetorin në Shangri-La Hotel në Paris, ku ka fjetur dhe Beyonce

 

Kishte kohë që nuk postonte asnjë foto apo video në Instagram, pasi mesa duket i kishte rezervuar postimet e forta për ditëlindjen e saj të 30-të, në datën 3 shkurt. Këngëtarja mjaft e pëlqyer nga publiku Elvana Gjata e ka festuar këtë përvjetor ashtu siç shumë vajza do të ëndërronin, me foto të bukura duke bërë ski dhe pastaj darkë të këndshme në një hotel superluksoz të Parisit, me pamje nga kulla Eiffel. Artistja, e cila duket shumë e lumtur dhe në formë mjaft të mirë e kishte lënë mister hotelin nga ku pozoi në fotot përshëndetëse për fansat, ku binte në sy shalli-peliçe me ngjyrat e ylberit. Story.al ju sjell ekskluzivisht vendodhjen e saktë ku u akomodua Elvana Gjata në Paris, që është i njëjti hotel ku ka fjetur edhe këngëtarja me famë botërore Beyonce, gjatë ndalesës së turit të saj koncertor në kryeqytetin francez. Bëhet fjalë për hotelin “Shangri-La Hotel”, ku Elvana ashtu si Beyonce kishin rezervuar suitën në katin më të lartë të tij, pamja e së cilës e bën gati të prekshme kullën Eiffel. Në hotelin në fjalë çmimi i një nate kap shifrën 19.000$, që nënkupton se është destinacioni i preferuar i pasanikëve nga e gjithë bota. Sipas mediave shqiptare këngëtarja e “Lelja”, ka qenë e shoqëruar nga motra dhe disa miq të tjerë, por me fansat ka ndarë fotot ku shfaqet vetëm. Ndërkohë flitet se Elvana po punon për të hyrë në tregun ndërkombëtar të muzikës me projekte të reja, që do të jenë surpriza e saj për publikun.