Fitoi luftën me kancerin, Valbona Merelli: Shenjat që janë alarm për trupin tuaj!
Jemi në fund tetori, në muajin rozë të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Do të sjellim për ju sot, një histori sa të vështirë aq edhe bukur. Në fakt luftërat nuk kanë se si të jenë të bukura, por ato që bëhen për jetën, janë gjithmonë frymëzuese. Ndaj janë për t’u folur, dhe treguar. Sot në emisionin Java në Dritare TV, do të ndajmë me ju një histori suksesi, por jo nga ato që shpesh tregojmë në Dritare. Një histori suksesi për jetën, të një gruaje që doli fituese në luftë me kancerin. Kjo është historia e Valbona Merellit, mësueses së letërsisë, që fitoi betejën me sëmundjen e shekullit.
“Kisha dëgjuar për kancerin e gjirit, por mendoja se unë isha e paprekshme nga kjo sëmundje. Kur e zbulova isha në fazën e dytë të sëmundjes. Shenjat që mu shfaqen në fillim ishin sinjal, për atë që dyshoja. Një grua e dallon trupin e saj. Është një gjëndër që është më e fortë se gjëndrat që i kemi zakonisht në gji. Fillimisht isha shumë e lodhur. Ka një ndryshim të gjoksit. Dhe nëse ke rrjedhje, rritje të gjoksit, apo gjëndra të forta, këto sinjale janë një kambanë alarmi për çdo grua për të bërë vizitë.
Kisha mundësi të kurohesha jashtë ndaj shkova në Bolonja. E dija që rruga do të ishte e gjatë dhe e vështirë, por isha e vendosur t’ia dilja. Ndenja 6 muaj në Itali. Forca më e madhe, ishte familja ime. Doja që fëmijët e mi të rriteshin në këtë botë, ku të isha unë.
Kur je me kancer, ti nuk e di cilës botë i përket, të gjallëve apo të vdekurve. Ndaj je ti që duhet të vendosësh, ku do të qëndrosh. Por kjo kërkon shumë luftë, sakrificë dhe fat gjithashtu”, u shpreh në Dritare TV, zonja Merelli./L.F-dritare.net