E vërteta tragjike e zhdukjes së Davide Pecorelli në malet e Pukës

“Do jua thonë detajet prokurorët… detaje që janë edhe tragjike në pjesën e parë”. Me ketë fjali biznesmeni italian Davide Pecorelli e mbylli deklaratën e shkurtër për gazetarët që e pritën gati 3 orë përpara prokurorisë së Peruxhias ku ai dha dëshminë e tij pas zbulimit se ishte shëndoshë e mirë dhe e gjithë historia e vdekjes së tij ishte një inskenim.

“Nuk kisha asgjë për të fshehur. Kam bërë veprat penale që kam bërë. I kanë mësuar si prokuror Petracini… E vetmja gjë që ju kërkoj është të bëni detyrën tuaj duke pasur parasysh që kam 4 fëmijë, 3 prej tyre të mitur. Unë i kam treguar gjithçka Petracinit që më pas do t’ia tregojë shtypit në detaje. Kam konsumuar gjithashtu disa vepra penale në Shqipëri… Do jua thotë të gjitha Petracini, kam qenë 3 orë në pyetje… Më vjen keq, por do iki, mbrëmje të këndshme të gjithëve” tha ish-arbitri i futbollit që kishte ndryshuar tërësisht pamjen e tij pasi flokët i kishte lënë të gjatë dhe i kishte lyer biond. Megjithatë dukej në gjendje të mirë shëndetësore dhe madje kishte marrë edhe ngjyrë në plazh.

Gjithsesi Pecorelli nuk dha një arsye për makinën e djegur, biznesin dhe zhdukjen misterioze.

“Tani do të shkoj te fëmijët e mi. E vetmja gjë e sigurt është që nuk do të bëj sërish sipërmarrësin në Itali. Kjo është e vetmja gjë e sigurt” – tha ai duke lënë të kuptohet se gjithë zhdukja gati 9-mujore lidhej me aktivitetin e tij si sipërmarrës.

Por çfarë ka bërë Pecorelli këto 9 muaj dhe a kishte ai bashkëpunëtorë?

“Kam qenë në një komunitet me priftërinj. Në Mexhugorje. (Bosnje) Nuk kam pasur kontakte me asnjë. As familjarët. Absolutisht jo. Më kanë parë kur jam rikthyer nga ishulli Montecristo. Nuk bëhet fjalë për përfitimin e siguracionit të jetës. Kam 30 vjet që jam sipërmarrës, kam paguar sigurimin e jetes” – tha biznesmeni duke u larguar.

Dyshimet për zhdukjen e Pecorellit

Në gjithë këto muaj ka pasur hipoteza të shumta për arsyet e zhdukjes së Pekorelit. Ditët e fundit mediat italiane i kanë mëshuar faktit që 45-vjeçari kishte probleme ekonomike pas mbylljes së biznesit të tij të produkteve kozmetike për shkak të pandemisë. Mbyllja e biznesit vijon të hetohet nga prokurorët italianë. Dyshimet janë për një borxh të madh që ai ka marrë me qëllim nisjen e biznesit në Shqipëri.

Prokuroria shqiptare ngre akuza

Krahas çështjeve të ngritura nga hetuesit italiane të cilët për momentin po e akuzojnë vetëm për falsifikim dokumentesh, Pekorelli pritet të përballet edhe me drejtësinë shqiptare. Prokuroria e Pukës i kishte drejtuar një letër-porosi prokurorëve të Peruxhias me një sërë pyetjesh për çështjen. Hetuesit shqiptarë po e hetojnë 45-vjeçarin për të paktën 4 akuza; mashtrim, shkatërrim i pronës me zjarr, kalimi i jashtëligjshëm i kufirit dhe dhunimi i varreve.

Prokurorët shqiptarë e kanë konsideruar krim djegien e makinës së marrë me qira, brenda të cilët ishin futur disa eshtra njerëzore, që dyshohet se janë marrë nga një varrezë e vjetër në këtë zonë.
Një tjetër akuzë është dhe kalimi i paligjshëm i kufirit për shkak se ai u largua ilegalisht nga hani i Hotit për në Mal të Zi. Burimet thanë se prokuroria e Pukës po kryen verifikime dhe për zbulimin e personave të tjerë që e kanë ndihmuar Pecorelin për planin e tij.

Si u zbulua pas gati 9 muajsh

Pecorelli ishte përpjekur gjithë këto kohë për të bërë një jetë të dytë. Kishte ndryshuar pamjen dhe kishte marrë edhe dokumente false me një identitet tjetë. Gabimi i vetëm (ndoshta i detyruar) ishte tërheqja e disa të hollave në një bankomat në Romë. Më 12 shtator karta e kreditit e Davide Pecorelli u aktivizua dhe banka sinjalizoi partneren e tij shqiptare si dhe një bashkëpunëtor pasi të dy kishin akses në llogari.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë u krijuan dyshime të forta se Pecorelli ishte gjallë. Më pas sinjalizimet shkuan në ishullin e Giglio ku Pecorelli kishte marrë një dhomë hoteli me dokumente false dhe një gomone. Kjo e fundit u bë shkak edhe për zbulimin e tij të plotë. Motori i saj mori flakë në përpjekje që ai të shkonte në ishullin e Montecristo. Një person që e ndihmoi e njohu dhe lajmëroi autoritetet. Ai u prezantua me emrin e tij të vërtetë dhe kërkoi prokurorët që të jepte dëshminë e tij të plotë. ©LAPSI.al