Aksidenti në Qafë Muzinë/ Arrestohet shoferja 22-vjeçare, flasin shoqet që ishin me të në makinë
Policia ka lëshuar një urdhër ndalimi për drejtuesen e fuoristradës, 22-vjeçaren Rexhina Çelhaka, pas aksidentit me 5 viktima në Qafë Muzinë. E reja akuzohet se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas njoftimit të policisë, furgoni tentoi që të shmangte përplasjen me mjetin ‘Land Rover’ dhe doli nga rruga, duke rënë në një humnerë 20 metra të thellë e duke lënë 5 persona të vdekur.
“Manovra e pastudiuar mirë e 22-vjeçares, ka shkaktuar aksidentin tragjik me 5 viktima, pasi furgoni për t’iu shmangur përplasjes ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar 20 metra në humnerë. E reja ka pësuar shembje në krah dhe ndodhet në spitalin Rajonal të Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën”, shkruhet në njoftimin zyrtar nga Harta Digitale e Aksidenteve Rrugore.
Çelhaka ishte duke udhëtuar së bashku me 2 shoqet e saj, shtetase italiane, Anna Cascavilla, 23 vjeçe, dhe Giulia Parimi, 22-vjeçe, të cilat po ashtu ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Vajzat italiane në dëshminë e tyre të parë deklarojnë se ishte furgoni ai që mori kthesën gjerë dhe shoferja e fouristradës frenoi për të shmangur përplasjen, ndërsa makina rrëshqiti nga lagështia.
“Furgoni e mori kthesën gjerë dhe shoqja jonë (drejtuesja e ‘Land Rover’) frenoi për të shmangur përplasjen, ndërsa makina rrëshqiti nga lagështia.”-mësohet se kanë dëshmuar vajzat.
Viktima të aksidentit të djeshëm janë; Olesander dhe Tetiana Fediaieva, 53 dhe 48 vjeç, nga Ukraina, Bardhi Proda (shoferi) dhe çifti i bashkëshortëve, Fiqiri e Dritë Korçari. Fatmirësisht nga furgoni, i cili përfundoi ne humnere doli e gjalle Gerta Kaberdini, 25 vjece e cila ishte shtatzënë.
/News31