Si në filma/ Si dështoi arratisja spektakolare me çarçafë nga burgu 313
Në kulmin e vapës përvëluese të këtij gushti ku kryefjalë janë zjarret që kanë përfshirë vendin vjen një lajm i bujshëm nga burgjet. Një tentativë arratisjeje e 2 emrave VIP të burgut të sigurisë së lartë 313 në Tiranë ka dështuar.
Bëhet fjalë për Arbër Çekajn të dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë në shurt të 2018-ës. Bashkëpunëtor me të është edhe Fatmir Pjetri një person me një histori të gjatë grabitjesh si pjesë e bandës së “Babagjyshëve” të famshme gjithashtu në vitin 2018.
Çekaj dhe Pjetri kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe më pas kanë tentuar të hidhen përmes çarçafëve në shesh-pushim e hyrjes së administratës. Tentativa e tyre është pikasur nga rojet që kanë vënë re lëvizjet duke bërë ndalimin e të dënuarve. Të dy tashmë do të përballen në gjykatë me një tjetër akuzë, atë të “largimit nga vendi vuajtjes së dënimit”.
Kush janë Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri
41-vjeçari u shpall fajtor nga Apeli i GJKKO për trafik ndërkombëtar të drogës. Ai u dënua me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë nga Ekuadori në vitin 2018-ën. Çekaj u arrestua në Gjermani dhe një vit më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Pak kohë më parë u arrestua edhe babai i tij, Selim Çekaj. Në muajin prill të këtij viti, kompanisë në zotërim të tij iu gjet 49 kg kokainë në një kontejner me banane.
Ndërsa Fatmir Pjetri i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami i Holandës.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata për Krimet e Rënda e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.
Arratisja e fundit nga burgu 313
Rasti i fundit i një arratisjeje nga burgu i sigurisë së lartë 313 në Tiranë daton në vitin 2010. Ishte 2 dhjetori i atij viti kur 20-vjeçari Ajet Markaj shfrytëzoi kohën e ajrimit, kur të dënuarit e tjerë luanin futboll duke arritur të kapërcejë murin rrethues të burgut. I riu kishte më pak se 2 muaj e gjysmë që ishte arrestuar për tentativën e grabitjes së një banke kur mund ti rifitonte lirinë. Një nga rojet arriti ta kapte nga këmbët, por në dorë i mbetën vetëm atletet. Markaj u arrestua më pas në 2014-ën në zonën e Paskuqanit dhe tashmë vuan dënimin me 15 vite burg.
Ajet Markaj
Arratisjet nga burgjet shqiptare janë disa dhe më e famshmja është ajo e Admir Tafilit nga burgu i Drenovës. Rreth orës 19.00 të 23 nëntorit 2013, të dënuar të armatosur me 4 armë kanë mundur të hyjnë në mes të rreshtit të parë të rojeve të burgut. Më pas, 7 të dënuar kanë dalë në oborrin e burgut dhe kanë kaluar rrethimin pasi as kullat nuk kanë dhënë alarmin. Pjesa më e madhe e të arratisurve u ndalua pak ditë më vonë.
Admir Tafili
Arratisja me tunel
Më spektakolarja do të mbetet tentativa e arratisjes së Gazmend Brakës, i njohur me nofkën “Gaxhai” dhe i konsideruar si “i forti i Vlorës”. E gjithë ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës, në burgun 302, në vitin 2005. Disa persona kishin marrë me qera një dyqan lulesh në afërsi të burgut dhe prej andej po hapnin një tunel nëntokësor. Tenativa dështoi pasi policët e burgut ranë në gjurmët e tunelit krejt rastësisht, pasi një pjesë e dyshemesë së burgut u shemb.
“Kishin humbur orientimin në lartësi dhe kishin dalë poshtë shtresës së betonit. U konstatua një e çarë nga policët dhe ne dyshuam se mos traktori që kaloi ka krijuar plasaritje në asfalt, por poshtë pamë një llambë të ndezur”, – rrëfeu vite më vonë Petrit Ismaili, ish-Drejtor i Burgjeve. Për këtë ngjarje nuk u arrestua asnjë, sepse autorët kishin humbur gjurmët. ©LAPSI.al