Gjon’s Tears zbulon detaje nga bashkëpunimi me Arilena Arën
Në fillim të muajit korrik, Arilena Ara njoftoi se së shpejti do të publikojë albumin e parë, i cili do të titullohet “POP ART’.
Albumi do të përmbajë 13 këngë, dhe njëra prej tyre do të jetë bashkëpunim me Gjon’s Tears, i cili këtë vit përfaqësoi Zvicrën në Eurovision me këngën “Tout l’univers” dhe u rendit i treti në natën finale. Dueti do të mbajë titullin “Dance Me” dhe për të, ka zbuluar më shumë detaje vetë artisti sot për mikrofonin e “Pushime On Top”.
Ai ka treguar edhe se si është njohur me Arilenën dhe theksoi se mes tyre ka shumë kimi në muzikë. “Unë kam nevojë t’i njoh shumë njerëzit kur bëj bashkëpunime, si përshembull Arilenën. Jemi takuar plot herë para se të fillojmë bashkëpunimin. Këngëtarë ka më të mirë se unë, por gjëja që na bën unikë është vetja jonë si humanë, a jemi të mirë si njerëz. Arilenën e kam njohur te ‘The Voice’, por nuk kemi folur shumë herën e parë kur erdhëm. Kështu që kur më ka thirrur në atë moment që edhe ajo ishte duke konkurruar për Eurovisionin, ishte një kënaqësi e madhe”, u shpreh artisti.
Më pas Gjon’s Tears ka treguar më shumë për bashkëpunimin e tyre. “Arilena më ka marrë te ajo bota e saj. Unë erdha si qershia mbi tortë, bëra pjesën time. Nuk e kemi shkruar këngën bashkë nga fillimi, ishte një eksperiencë shumë e re”, tha këngëtari duke shtuar se në të ardhmen mund të bëjnë një këngë të dytë, këtë herë të kompozuar nga vetë ai. /News31