EKSKLUZIVE/ Oferta për Alban Hoxhën, Tramexani e do në Arabi. Zbulohen prapaskenat me portierin e Partizanit

Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, duket drejt largimit. “Panorama Sport” ka zbuluar edhe ekipin që ka shfaqur interes konkret për portierin e “demave” dhe është Al Faisali Harmah. Klubi nga Arabia Saudite emëroi në krye të pankinës një muaj më parë, ish-trajnerin e Kombëtares Paulo Tramexanin. Ky i fundit, pasi ka studiuar tri alternativat që ka në portë dhe nuk është bindur, kërkon me çdo kusht Alban Hoxhën në ekip.

OFERTA – Alban Hoxha është nën kontratë me Partizanin dhe e vetmja mënyrë që të largohet, është të paguhet për kartonin e tij. Normalisht, në aspektin individual, Hoxha do të përfitonte shifra tepër të kënaqshme, por duhet bindur edhe klubi i Partizanit. Tek Al-Faisali, Tramezani ka gjetur tre portierë me eksperiencë. Al-Kasar, Malaiekeh dhe Al-Hasaui janë portierët e ekipit saudit, por asnjë prej tyre nuk e ka bindur Tramexanin gjatë këtyre 30 ditëve që ka qenë në krye të stafit teknik.

Trajneri 51-vjeçar e njeh mirë Alban Hoxhën gjatë kohës që ka qenë te Partizani dhe iu ka kërkuar drejtuesve të klubit që të bëjnë të pamundurën për të sjellë gardianin 33- vjeçar në ekip. Gjithashtu, Hoxha ka edhe një ofertë tjetër, po nga Arabia Saudite, prandaj dhe Tramexani u ka bërë “presion” drejtuesve të klubit të tij që ta finalizojnë marrëveshjen sa më parë të jetë e mundur.

STATISTIKAT – Alban Hoxha duket se ka një jetë të tërë te Partizani. Gardiani 33- vjeçar u transferua te “demat e kuq” në verën e vitit 2013 nga ekipi i Besës. Gardiani ka luajtur 290 ndeshje me skuadrën e Partizanit, ku ka arritur ta mbajë rrjetën e tij të paprekur në plot 134 takime. Mbetet për t’u parë se kur kapiteni i të kuqve do të vendosë për transferimin në Arabinë Saudite, për t’u ndarë me Partizanin pas më shumë se tetë vitesh…

KARRIERA – Karrierën e tij e ka nisur te Dinamo ku ka luajtur për ekipet e moshave. Pas dy vitesh huazim tek Egnatia (2005-’06) dhe tek Apolonia (2006-’07), Dinamo vendosi të heqë dorë përfundimisht nga Hoxha, i cili në verën e vitit 2011 u transferua te Kastrioti. Te krutanët qëndroi vetëm një vit për t’u transferuar më pas te Besa e Kavajës, ku bëri një sezon të shkëlqyer dhe bindi Partizanin për ta transferuar. Që nga ai sezon, Hoxha ka qenë ndër portierit më të mirë në futbollin shqiptar

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL