“Unë dhe Kastriot Çaushi në një start të ri, ja si do ju suprizojmë”- Monika Lubonja në krah të romantikut të kinemasë së viteve ’80-të

Aktorja Monika Lubonja ka postuar disa foto me aktorin më të pëlqyer të viteve ’80-të, sot rektor i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushin.

“Rikthehem pas një kohe të gjatë, në sheshxhirim me një nga aktorët më të dashur të adoleshencës sime, por jo vetëm… Aktori i roleve romantike i kinematografisë shqiptare, ku me rolet e tij kaq të dashura bëri për vete të gjithë publikun. Sot çarkun e parë, ‘Ka Motor’… dhe kështu me Kastriot Çaushin filloi starti jonë. Në serialin H.O.T.”. Na ndiqni se do t’ju surprizojmë!”

Ermal Mamaqi, pas suksesit të dy filmave të tij “Dy gisht mjaltë” dhe “I love Tropoja” do të sjellë këtë serial të ri, ku do të luajnë dhe Kastriot Çaushi dhe Monika Lubonja.

Në një intervistë në “Dola tek Ola”, ai zbuloi disa nga personazhet e tjerë që do të jenë pjesë e serialit: Ana Lika, Kastriot Çaushi, Monika Lubonja, Erblin Bajko, Amos Zaharia dhe Inis Gjoni, e cila do të luajë një rol negativ.

Ermali edhe në këtë serial do të jetë pjesë edhe vetë dhe emri i tij do të jetë Daniel dhe shkurt Dani. Ai u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që në film të jetë i ftuar edhe ndonjë politikan, pavarësisht krahut politik që i përket.

Traileri i serialit “H.O.T” (Humans of Tirana) është publikuar, ndërkohë që ky njëherësh është edhe seriali i parë nga Ermal Mamaqi me bashkëproducent Dritan Huqin dhe autorë Klaudia Brahimaj dhe Bjordi Mezini.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Ermali shkruante: “HOT Seriali, është një tjetër sukses që jam i sigurt që do ta marrim këtë vjeshtë. Ekipi i yjeve këtë radhë është ekstrem dhe shumë Hot. Mbas ‘I Love Tropoja’, skenaristja ime e zemrës, Klaudia Brahimaj, bashkë me Bjordi Mezinin kanë shkruar një histori që të merr frymën. Këtë herë bashkë me mikun tim Dritan Huqi do të prodhojmë këtë projekt që do t’ju mbajë çdo javë përballë televizionit”.

Në intervistën në “News 24” në “Dola tek Ola”, ai tha se seriali do të jetë një histori dashurie e lidhur me intriga dhe do t’i përkasë zhanerit dramë-komedi. Ai u shpreh se seriali do të ketë plot 12 seri dhe do të jetë gati më 15 tetor. Ermali tha se për momentin po punojnë për fazën përgatitore dhe se së shpejti do të fillojnë xhirimet.

Ai zbuloi edhe kuptimin e titull të serialit H.O.T, që është shkurtim i “Humans of Tirana” (Humanët e Tiranës). Ermali theksoi se sapo të shohim pjesën e parë të serialit, do të duam të dimë se si do të përfundojë seria e 12-të, ndërkohë që “surpriza”që kanë rezervuar Monika e Kastrioti na bën vërtet kuriozë.

Monika Lubonja, dikur brune, tashmë identifikohet vetëm si bionde. Ajo lindi më 13 prill 1968 në Tiranë dhe si aktore e Teatrit Kombëtar, në film ka interpretuar disa role, duke filluar nga viti 1992, mes të cilëve ka bërë përshtypje me rolin te “Përdhunuesit”. Kurse Kastriot Çaushi lindi në Tepelenë më 14 qershor të vitit 1954 dhe për të po ashtu vitet janë thjesht numër.

Aktor i mirënjohur i kinemasë dhe pedagog i aktrimit, duke filluar nga viti 1997 është rektor i Akademisë së Arteve të Tiranës. U diplomua për aktor dhe disa vjet punoi në teatrin “Skampa” të Elbasanit, më pas u rikthye në Tiranë, këtë herë si pedagog. Ka luajtur 18 role në filma artistikë, duke filluar me rolin e Fatmirit te “Nusja dhe shtetrrethimi” (1976).

Në vitet ’80 ka pasur karrierë në ngjitje, duke fituar fillimisht Medalionin e Festivalit të Filmit me rolin e Vasil Laçit në filmin “Plumba Perandorit” (1980) dhe pastaj Kupën për Aktorin më të Mirë me rolin e Kujtimit në filmin “Qortimet e vjeshtës” dhe në fund përsëri Medalionin për rolin e Ilirit në filmin “Shirat e vjeshtës” (1984).

Ndër filmat e tjerë të suksesshëm mund të përmendim “Apasionata” (1983), “Vendimi” (1984), “Ngjyrat e moshës” (1990) dhe (1994). Pas dhjetë vjet pushimi u rikthye në kinema me filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” (2004) të regjisorit Mevlan Shanaj, ndërkohë që rikthehet sërish në sheshxhirim në filmin e Ermal Mamaqit.

/Panoramaplus.al